“Epidemia e koronavirusit në Mbretërinë e Bashkuar do të zgjasë deri në pranverën e ardhshme dhe mund të çojë 7.9 milion njerëz të shtruar në spital”, ky është citimi i britanikes The Guardian, e cila i referohet një konference sekrete të Shëndetit Publik në angli.
Dokumenti, i cili është zotëruar nga The Guardian, thotë se shefat e shëndetit që merren me virusin kanë pranuar se ata presin që ai të qarkullojë për 12 muaj të tjerë, me një kulm rreth fundit të muajit Maj.
Po ashtu sipas dokumentit shefat shëndetësorë flasin për rreth 80% të britanikëve që infektohen me koronavirus gjatë asaj kohe.
Prof Chris Whitty, këshilltari kryesor i qeverisë britanike për shëndetin, e ka përshkruar më parë atë shifër si skenarin e rastit më të keq dhe sugjeroi që numri i vërtetë do të rezultonte më pak se ai.
Sidoqoftë, raporti sqaron se katër në pesë persona në popullsi, pritet që të kenë kontakte me virusin.
Dokumenti thotë se: “Rreth 80% e popullsisë pritet të infektohen me Covid-19 në 12 muajt e ardhshëm, dhe deri në 15% (7.9 milion njerëz) mund të kërkojnë shtrimin në spital.”
Ndërkohë që nga shqetësimet e ekspertëve është edhe paniku që do të shkaktojë kjo situatë te njerëzit, e cila mund të sillte dhe një dyndje të madhe nëpër spitale.
“Unë mendoj se rastet do të ulen në verë, në fund të qershorit dhe do të kthehet sërish në nëntor, në mënyrën që bën gripi i zakonshëm sezonal. Unë mendoj se do të jetë përherë e përgjithmonë, por do të bëhet më pak i rëndë me kalimin e kohës, pasi ndërtohet imuniteti”, tha Paul Hunter, një profesor i mjekësisë në Universitetin e Anglisë Lindore .
Pranimi se virusi do të vazhdojë të shkaktojë probleme edhe për një vit, duket se minon shpresat se ardhja e motit më të ngrohtë këtë verë do ta vriste atë.
“Vlerësohet se të paktën 10% e njerëzve në Mbretërinë e Bashkuar do të kenë një kollë në çdo kohë, gjatë muajve të pikut të aktivitetit Covid-19. “
Sipas këshillave të rishikuara shëndetësore, Boris Johnson të zbuluara të enjten e kaluar, kushdo që ka një kollë duhet të izolohet për të paktën shtatë ditë, dhe kjo mund të pengonte ndjeshëm ecurinë e aktivitetit ekonomik.
Shërbimi shëndetësor nuk mund të përballojë numrin e madh të personave me simptoma që duhet të testohen sepse laboratorët janë “nën presione të konsiderueshme të kërkesës”.
Tani e tutje do të testohen vetëm të sëmurët shumë seriozë që janë tashmë në spital dhe njerëzit në shtëpitë e përkujdesjes dhe burgjet ku është zbuluar koronavirusi.
Ekspertët që këshillojnë qeveritë në të gjithë botën për mënyrën se si rriten epidemitë dhe përfundimisht bien, thonë se do të ketë një rritje të shpejtë të rasteve në një kulm – dhe më pas një rënie.
Kjo do të thotë një kulm rreth fundit të majit deri në mes të qershorit, kur Shëndeti Publik në Britani do të jetë nën një presion të madh. Strategjia e të gjitha vendeve është të vonojë atë kulm dhe ta zgjas atë për një periudhë më të gjatë kohore, në mënyrë që shërbimet shëndetësore të jenë më të afta të përballojnë.
Ekziston gjithashtu mundësia që trajtimet e reja do të jenë në dispozicion deri atëherë, me shpresën se mund të arrihet drejt një vaksine, e cila do të kërkojë kohën e saj për tu testuar.
(Burimi: The Guardian– E.K/Faxweb.al)