Kreu i qeverisë Edi Rama u pyet nga gazetarët nëse projektet e reja infrastrukturore që ka premtuar se do të realizohen do të jenë me pagesë apo pa pagesë. Kreu i qeverisë tha se një pjesë e tyre padyshim që do të jenë me pagesë, sa kohë që janë investime private.
‘Kush përdor aksin më të shpejtë padyshim që do të paguajë, në të kundërt janë rrugët alternative’, tha Rama.
“Nëse do t’i biesh shkurt nga tuneli do të duhet të paguash, në rast se do të shkosh më gjatë, që të shijosh edhe panoramën, atëherë kalo nga rruga e vjetër. Për mua personalisht rruga e vjetër, është një nga kënaqësitë më të mëdha që marr gjatë udhëtimeve të mija. Siç ndodh në të gjithë botën, në rast se ti do të kalosh në një investim të tillë do të duhet të paguash”, u shpreh Rama.
Rama tha më herët se PS nuk bën rrugë dhe projekte për fushatë, dhe më shumë se 50% e investimeve kanë shkuar për të mbyllur punët e lëna gjysmë nga Sali Berisha, që sipas tij i inaguronte për fushatë.
Projektet për të cilat ne flasim nuk janë asfalt elektoral, por janë vepra që nuk fillojnë në momentin e gërmimeve, por kur nisin projektimet, dhe për këto vepra projektimet kanë nisur prej shumë kohësh.
Nëse ne flasim për aeroportin e Vlorës sot, flasim pasi gara na u ndërpre, nëse ne flasim për tunelin e Loogarasë, ne flasim për një projekt për të cilin po punohet në terren. Ne nuk kemi nevojë për asnjë nga këto për të fituar zgjedhjet, ne jemi të vetëdijshëm për shumë gjëra që janë akoma për tu bërë, se sa probleme ka qeverisja në të gjitha shkallët e veta, por ne kemi qartësisht mirëskuptimin e shumicës së arsyeshme të shqiptarëve.
Nëse zgjedhjet bëhen të dielën ne dalim më mirë dhe ata dalin më keq se në 2017. Këto janë projekte të mëdha, nuk janë sa për të kaluar radhën. Po të shohim rindërtimin është një rast për të bërë dallimin mes dy kohëve, ne jemi duke përfunduar shkollat që kemi nisur, dhe do të jenë gati për ti hapur në muajin Nëntor.
Ata lehin ëh, ëh, dhe i lanë rrugëve gjysmë, më shumë se 50 % e financimeve që ne kemi bërë në infrastrukturë, janë për ato projekte që ata kanë inaguruar nëpër atë fushatë famkeqe”, u shpreh Rama. (E.K/Faxweb.al)