Rreth 200 fëmijë, mes tyre edhe shqiptarë janë zhdukur nga kampet e emigrantëve në Britaninë e Madhe disa ditë më parë. Kjo ngjarje ka bërë bujë jo vetëm atje por në shumë vende të tjera përfshirë Shqipërinë. Në një lidhje me Skype ka folur për Fax News avokati Naim Hasani.
Avokati është shprehur se fëmijët shqiptar të humbur kanë ardhur me plan paraprak dhe se familjet e tyre nuk kanë bërë asnjë denoncim, çka lë të kuptohet se qëllimi i tyre është të qendrojnë ilegalisht në Britani. Gjithashtu avokati thotë se të gjithë i kanë të dhënat e regjistuara dhe herët a vonë do të kapen.
“Të them të drejtën problemi i shqiptarëve ka bërë jehonë në mediat Britanike dhe ka sjellë në vëmëndje të opinionit publik përsëri problemin e shqiptarëve. Parlamenti Britanik ka bërë një seancë të jashtëzakonshme për sa i përket largimit të fëmijëve nga qendrat ku ata mbaheshin ndërkohë që shqyrtoheshin kërkesat e tyre për azil. Rreth 400 fëmijë janë deklaruar të humbur vitin e kaluar dhe më shumë se gjysma janë gjetur dhe janë dërguar në shtëpitë e tyre ose në vendet e përcaktuara nga ana e Ministrisë së Brendshme.
Mbi 176 fëmijë rezultojnë të humbur dhe ndër ta 88% e tyre janë shqiptarë. Vetëm në një zonë kishin humbur rreth 79 fëmijë gjatë 12 muajve të fundit. Nëse një fëmijë Britanik humb në kushte të tilla e gjithë Britania do ndalonte deri sa të gjente atë fëmijë, ndërsa humbja e një fëmije azilkërkues nuk ka të njëjtën rëndësi. Kjo ka qenë dhe arsyeja e debatit të fortë në Parlamentin Britanik. Ministrja e Migracionit ka siguruar opinonin publik se të gjitha agjensitë dhe Policia po punojnë intensivisht për të gjetur këta fëmijë dhe për ti rikthyer në vendet përkatëse.
Për sa i përket familjeve nga Shqipëria nuk ka pasur asnjë denoncim prej tyre për fëmijët e humbur. Dyshohet se këto shifra vijnë nga numri i të miturve që vijnë me gomone nga Franca nëpërmjet kanalit të La Manshit për të hyrë ilegalisht në Britani.
Duhet të dinë të gjithë ata që vijnë ilegalisht do të kapen herët a vonë. Çdo person shqiptar është i identifikuar dhe do të gjendet”, tha avokati Naim Hasani.
Intervista e plotë e avokatit Naim Hasani: