Shkarkoni aplikacionin e Fax Web

 


AktualitetEkonomiFlashTe FunditTe Gjitha

Mbyllja e ekonomisë “fundos” buxhetin, të ardhurat buxhetore ranë 30% në maj, në dy muaj 220 mln euro më pak

Mbyllja pothuajse totale e ekonomisë në muajin prill ka ndikuar tepër negativisht në ecurinë e të ardhurave buxhetore në maj (kur dhe paguhen taksat e prillit). Ky është muaji i dytë radhazi që buxheti po vuan pasojat e mbylljes dhe reduktimit të aktiviteteve të shumë bizneseve.

Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave bënë të ditur se në maj u arkëtuan në buxhet 27.5 miliardë lekë, me një tkurrje prej 29.7% me bazë vjetore, ose 11.6 miliardë lekë më pak. Ky është niveli më i ulët që nga viti 2014. Edhe një muaj më parë, të ardhurat kishin shënuar të njëjtën tendencë rënëse, me rreth 30% më pak.

Për dy muaj e gjysmë, që kur filloi pandemia, gjysma e marsit-prill-maj, buxheti ka arkëtuar rreth 220 milionë euro (27 mld lekë) më pak në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas të dhënave zyrtare.

Në maj, tkurrja më e lartë erdhi nga tatimi mbi të ardhurat personale, që ra me 56%, e ndikuar dhe nga fakti që vitin e kaluar u shënua një rritje jo normale, për shkak të uljes së tatimit mbi dividendin që kishte dhe efekt prapaveprues, çka bëri që bizneset e mëdhatë shpërndanin fitimet e prapambetura.

Të ardhurat nga TVSH-ja, një tregues direkt i qarkullimit në ekonomi ranë me 24%. Në tkurrje të fortë ishte dhe tatimfitimi, me 75%, akcizat u tkurrën me 14%, taksat doganore me 13%. Të hyrat nga pushteti lokal ranë me 23%, të ndikuara si nga taksat lokale, ashtu dhe nga taksa për pasurinë e paluajtshme.

Të ardhurat nga sigurimet shoqërore u tkurrën me 7.5% në maj, me bazë vjetore, teksa kriza preku dhe punësimin dhe shumë kompani u detyruan të nxirrnin nga skema e sigurimeve punonjësit e tyre. Maji pritet të jetë muaji më negativ për ecurinë e të ardhurave buxhetore, gjithnjë në rast se nuk do të ketë mbyllje totale të ekonomisë.

Për 5-mujorin, të ardhurat bien me 14.7%

Pasi dy muajt e parë të vitit ishin me rritje pozitive, fillimi i krizës së paprecedentë të Covid-19 në mes të marsit, që u shoqërua me mbylljen e aktivitetit të ekonomisë, e ka kthyer përmbys tendencën. Për 5-mujorin, të ardhurat buxhetore kanë rënë me 14.7%, ose 27.7 miliardë lekë më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Efektin kryesor në këtë tkurrje e ka dhënë TVSH (-7 miliardë lekë), e ndjekur nga tatim fitimi (-6 mld lekë), tatimi mbi të ardhurat personale (-5 mld lekë), taksat lokale (-4.3 mld lekë) dhe të ardhurat nga fondet speciale, kryesisht sigurime shoqërore e shëndetësore (-1.5 mld lekë).

Financat presin që për gjithë vitin, rënia e të ardhurave të jetë rreth 15%. Gjithsesi, në qershor, që reflekton të ardhurat e majit, situata pritet në përmirësim, pasi pjesa më e madhe e aktiviteteve kanë qenë të hapura, ndonëse përballë një konsumi të tkurrur.

Partitë politike firmosën Marrëveshjen për Reformën Zgjedhore. A mendoni se Presidenti Meta duhet të dekretojë një datë zgjedhjesh në tetor të këtij viti?

Për t'ju bashkuar grupit të Faxweb.al në Facebook, klikoni Join Group
loading...

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *