Teksa protestuesit e parë janë mbledhur në Tiranë për t’iu bashkuar protestës së përcaktuar për të nisur në orën 12:00, kryeministri Edi Rama mbajti fjalën e tij në Selenicë, ku prezantoi kandidatin e Partisë Socialiste.
Nga Selenica, ai ndër të tjera është ndalur tek Partia Demokratike, çadra, të cilën e ka cilësuar “bunker prej plastmasi”, Vettingu,Sali Berisha dhe demokratët, të cilëve u ka bërë thirrje t’i bashkohen Partisë Socialiste.
“Selenica, hapi i parë për një fillim të mbarë nga zemra e Labërisë. Vizioni dhe vendosmëria jonë janë ato çka i duhen Shqipërisë për të hapur një faqe të re në historinë e saj. E gjithë kjo periudhë ka qenë jashtëzakonisht e vështirë me prokurorë e gjyqtarë të korruptuar që janë duke bashkëpunuar me ata që janë ngujuar në bunkerin prej plastmasi.
Vërtet dëshpëruese të shohësh njerëz që ngujohen aty për t’i ndërprerë rrugën aspiratës së këtij populli, qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi për të gjetur drejtësi, për t’u bërë barrikadë për të mos lejuar çlirimin e Shqipërisë nga diktatura e korrupsionit në drejtësi.
Vendosëm programin tonë për reformimin e thellë të sistemit të drejtësisë. Nuk e dinim që aleanca jonë kishte votat, por e vendosëm në program me bindjen se tanimë i ka ardhur koha drejtësisë, një njeriu të zakonshëm që të mos trajtohet si skllav. Ia dolëm të bëjmë pjesën e parë, ia dolëm të kalojmë ligjet më të rëndësishme, të vendosim në themel të kësaj reforme Vettingun e gjykatësve dhe prokurorëve. Vettingu është momenti i së vërtetës, skaneri që do i bëhet çdo gjykatësi.
Janë mbledhur bashkë në bunkerin e turpit që drejtojnë Partinë Demokratike dhe ata që qëndrojnë në krye të sistemit të drejtësisë. Janë të lidhur si mishi me thoin, por të jeni të bindur se më 18 qershor ne do i zbrazim njëherë e përgjithmonë. Parlamenti i ri do të votojë zhbllokimin e procesit të Vettingu-t.
Qyetarët e zakonshëm demokratë duhet të na bashkohen më 18 qershor.
Demokratët e zakonshëm duhet ta lënë Saliun kukuth, aty të mbyllur në bunker, e të bashkohen me socialistët. Drejtësia që ne duam është drejtësia që ne duam për Shqipërinë që duam.”, u shpreh Rama.
(XH.A/SHUPLAKA)