Policia e Tiranës në bashkëpunim me policinë e Shkodrës kanë arrestuar 66-vjheçarit Prend Kola, ndaj të cilit Gjykata e Apelit të Tiranës ka dhënë një dënim me 12 vite burg për akuzën e mashtrimit me pasoja të rënda.
Prend Kola në bashkëpunim me shtetasen Albana Laze (e arrestuar më parë) kanë përfituar 100 mijë euro nga familjarët e një të dënuari, duke i premtuar atij lirimin nga burgu të të afërmit të tyre. Ngjarja është shënuar në vitin 2006, ku i pandehuri Prend Kola ka rënë në kontakt me shtetasin N. Gj., vëllai i të cilit ishte arrestuar si i dyshuar për akuzën e “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”.
Sipas gjykatës, Prend Kola i ka garantuar se në këmbim të 100 mijë eurove ai mund t’ia nxirrte nga burgu familjarin e tij brenda 6 muajsh, duke i thënë se kishte një njeriun e tij te Gjykata për Krimet e Rënda. Kola i ka prezantuar familjarëve të të arrestuarit Albana Lazen, e cila është zotuar se kishte njohje te Krimet e Rënda.
Në vijim Kola dhe Laze i kanë marrë shumën 100 mijë euro. Para familjarëve ata kanë shtyrë disa herë kohën kur do ta lironin të arrestuarin, derisa Laze u arrestua për një episod tjetër mashtrimi, ndërsa Kola humbi kontaktet me ta.
Njoftimi i Policisë:
Fale bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit midis Policisë të Tiranës dhe Policisë së Shkodrës, u bë e mundur kapja në Shkodër e 66-vjeçarit të shpallur në kërkim.
Në vijim të veprimeve nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar u bë ekzekutimi i vendimit të ndalimit për shtetasin Prend Kola., 66 vjeç, i kapur nga sherbimet e Policisë së Shkodrës, pasi Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar këtë shtetas me 12 vite burg, për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda.
Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
(E.K/Faxweb.al)