Autoritetet italiane kanë arritur të vënë në pranga një 40-vjeçar shqiptar, të shpallur në kërkim, pasi akuzohej për mashtrim të rëndë në dëm të shtetit italian.
I arrestuari është shtetasi Ahmet Balla, 40 vjeç, banues prej disa vitesh në zonën e Vareses në Itali. Mediat italiane raportojnë se ai ishte i dënuar me 1 vit e dy muaj burg për mashtrim të rëndë në dëm të shtetit italian, pasi në periudhën 2008-2012 kishte përfituar para pa të drejtë.
Të njëjtat burime raportojnë se shqiptari po udhëtonte me makinën e tij tip “Toyota Prius”, por pas kërkimit të dokumenteve të identifikimit, 40-vjeçari u bë nervoz duke nxjerrë letra të ndryshme dhe denoncime false për humbje dokumentesh. Ka qenë kjo arsyeja që ka bërë që policia të dyshojë dhe të bëjë verifikimet me anë të shenjave të gishtave. Pas kësaj ai është vënë në pranga.
(B.B/ Faxweb.al)