Zv/Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili ka deklaruar ditën e sotme se votat e LSI-së të shpallura të pavlefshme në Durrës po numërohen si vota të Partisë Socialiste.
Në një konferencë për shtyp, petrit Vasili ftoi ndërkombëtarët dhe KQZ-në që të monitorojnë procesin e numërimit të votave të kandidatëve pasi po bëhet një masakër e vërtetë elektorale.
Vasili ka publikuar dhe disa procesverbale që sipas tij vërtetojnë që votat e shpallura të pavlefshme po numërohen si vota për PS-në.
Ai më tej theksoi se procesi bëhet nul nëse nuk ka transparencë, duke shtuar se kjo masakër elektorale nuk ka ndodhur vetëm në Durrës por në të gjithë vendin.
“Jam këtu për të denoncuar një masakër të vërtetë elektorale që po ndodh në Durrës, gjatë numërimit të kandidatëve. Vetëm në katër kutitë e para janë gjetur mbi 20 vota që janë konsideruar të pafleshme dhe janë numëruar si të PS-së. Situata është vërtetë skandaloze. Në kufijtë e një paligjmerie absolute. Ftoj ndërkombëtarët dhe përfaqësuesit e KQZ-së që të jenë pjesë dhe të monitojnë procesin. Ndërkohë procesi bëhet nul pa një proces transparent. Vota të pavlefshme të konsideruara si të PS-së. Kjo masakër elektorale ka ndodhur në Durrës dhe gjithë vendin,” deklaroi Vasili.
Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka bërë një deklaratë të fortë 3 ditë pas zgjedhjeve, ku fitoren ia ka uruar oligarkëve dhe bandave, që sipas saj triumfuan realisht në zgjedhjet e së dielës.
Kryemadhi pranoi se djegia e mandateve, dhe vendimi për të mos hyrë në zgjedhjet lokale, që u mor së bashku me Lulzim Bashën ishte i gabuar, dhe u reflektua në këto zgjedhje.
Kryetarja e LSI-së i kërkoi falje dhe presidentit Meta, që nuk e kishin marrë parasysh paralajmërimin e tij, për atë që do të ndodhte në këto zgjedhje.
(E.H/Faxweb.al)