Në një njoftim për shtyp ditën e sotme Ministria e Shëndetësisë njoftoi se pas shpërthimit të koronavirusit në Itali janë marrë masa shtesë dhe se është ngritur një Task Forcë me në krye ministren Manastirliu për të shtuar ‘vigjilencën’ e strukturave shtetërore ne menaxhimin e një krizeje të mundshme shëndetësore.
Por Fax News ka mbërritur në Aeroportin e Rinasit si një nga pikat hyrëse më të rëndësishme në vend për të parë nga afër zbatimin e urdhrit të Task Forcës të ngritur për këtë çështje.
Sipas raportimit të gazetarit Sokol Dema, autoritetet në aeroportin e vetëm të vendit janë shprehur se është bërë dyfishimi i personelit mjekësor si dhe janë bërë kontrolle rigoroze, madje është gati dhe karantina e cila do të përdoret në rastin e konstatimit të një pasagjeri të infektuar.
I vetmi problem është se në këtë aeroport askush nuk mund t’i shohë ‘masat e ndërmarra’ nga Ministria e Shëndetësisë dhe Task Forca e ngritur.
Gazetari Dema u shpreh se dhe me insistimin e tij ai nuk është lejuar të filmojë një nga këto ambiente apo të komunikojë me një nga mjekët në gatishmëri.
“Na thuhet se ka dyfishim të personelit në aeroportin në Rinas, por është e pamundur ti filmosh dhe pse kemi 60 minuta këtu. Në komunikimin me Ministrinë e Shëndetësisë na u tha se nuk jepet leja për të filmuar asnjë nga këto ambiente dhe masat që janë marrë shtesë për parandalimin e ‘depërtimit’ të virusit vdekjeprurës në Shqipëri”, u shpreh gazetari i Fax News.