Shkarkoni aplikacionin e Fax Web

 


AktualitetEkonomiFlashTe FunditTe Gjitha

Marrëveshjet hidrokarbure dhe PPP fshehin taksat dhe lidhjet politike në parajsa fiskale

Myrjeme Fezaj filloi punë si laborante në Kombinatin e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh në vitin 1985, pasi mbaroi Teknikumin në moshën 18-vjeçare. Gjatë muajit të fundit, 53- vjeçarja ishte pjesë e grupit të dhjetë grave naftëtare, që mbajtën një grevë urie 25-ditore në kërkim të 25 pagave të prapambetura nga pronarët e rafinerisë.

“Pronar kjo uzinë nuk ka tani,” tha ajo gjatë një interviste më 19 tetor, ndërsa shtoi se kompani të ndryshme kanë ardhur dhe ikur, duke i zhgënjyer.

“Privat thotë ai, por privatët ai i sillte, një ikte, një vinte, duke lënë borxhe një pas një dhe ashtu u akumuluan dhe lekët e tona dhe nuk na i japin,” u ankua Fezaj, që në atë kohë kishte pesë ditë në grevë urie.

Punëtorja e Kombinatit të Ballshit nuk është e vetmja që ka pikëpyetje mbi pronësinë e rafinerisë, e cila pas privatizimit nga biznesmeni famëkeq Rezart Taçi në vitin 2008, ka ndërruar disa herë pronësinë me kompani te regjistruara në parajsa fiskale, fonde investimesh, është konfiskuar nga banka dhe është dhënë në përdorim me kontrata qiraje, duke lënë pas një mal me borxhe ndaj buxhetit të shtetit dhe naftëtarëve.

Asetet e rafinerisë janë në pronësi të një kompanie të të quajtur “Allum Enterprises”, e cila që prej majit 2019-të është në pronësi të një kompania tjetër të  regjistruar në Zvicër e quajtur Mercado Exterior – e cila raportohet se është e lidhur me një zyrtar të lartë nga Azerbajxhani. Pronari i vërtetë i rafinerisë nuk dihet.

Rafineria e Ballshit nuk është e vetmja kompani që operon në tregun shqiptar me pronarë të fshehur pas vellos së anonimatit që sigurojnë parajsat fiskale. Të dhënat e mbledhura nga BIRN tregojnë se regjistrimi i aksionerëve të kompanive në juridiksione që fshehin pronarët përfitues është një praktikë e përhapur për kontratat koncesionare dhe marrëveshjet hidrokarbure.

Regjistrimi ‘offshore’ i këtyre kompanive bëhet për disa arsye, përfshi fshehjen e lidhjeve politike pas marrëveshjeve fitimprurëse me shtetin, pastrimin e parave dhe evazionin fiskal. Për t’i adresuar këto problematika, Shqipëria miratoi së fundmi një ligj për ngritjen e një regjistri të pronarëve përfitues, por ekspertët dhe aktivistët mbeten skeptikë për realizmin dhe efikasitetin e tij.

“Unë nuk e di a do të ndërtohet ndonjëherë ky regjistër,” thotë me dyshim Pano Sako, pjesëtar i Nismës Thurje, një organizatë e shoqërisë civile që po ndërmerr hapa për t’u kthyer në një lëvizje politike.

‘U ligjërua që do të ndërtohet, por nuk e dimë nëse do të mbetemi peng i VKM-ve, i urdhrave të ministrit, siç ka ndodhur rëndom me shumë ligje të tjera,” shtoi ai.

Ekonomisti Zef Preçi është njësoj pesimist për ndikimin e këtij ligji në transparencë dhe llogaridhënie.

“Jam pesimist që regjistri mund të përmirësojë situatën,” tha Preçi. “Ne kemi nevojë për ndryshimin e mënyrës së qeverisjes,” shtoi ai.

Koncesionet regjistrohen në parajsa fiskale

Në botë sot njihen rreth 80 streha fiskale, ku sipas Indeksit të Fshehtësisë Financiare (Financial Secrecy Index) për vitin 2020, në vend ta parë renditen Ishujt Cayman. Pas tyre vijnë Shtetet e Bashkuara, Zvicra, Hong-Kongu dhe Singapori.

Në 10 vendet më të preferuara ‘offshore’ renditen gjithashtu edhe Luksemburgu, Japonia, Holanda, Ishujt Britanikë Virxhin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Indeksi është publikuar nga ‘Tax Justice Netëork’, – një rrjet i pavarur, i specializuar në kërkim, analizë dhe mbrojtjen e rregullave tatimore dhe financiare në nivel ndërkombëtar.

Në raportin e fundit të publikuar në tetor nga Moneyval – mekanizimi i Këshillit të Evropës për Vlerësimin e Masave Kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit, Shqipëria u fut sërish në listën gri, duke u bërë pjesë e listës së shteteve nën monitorim të zgjeruar.

Shtetet që bëhen pjesë e kësaj liste kanë mangësi strategjike në parandalimin e pastrimit të parave nga krimi i organizuar ose nga financimi i terrorizmit.

Edhe Indeksi vjetor i Institutit të Bazelit për Qeverisjen e renditi Shqipërinë të dytën në Europë dhe të 44-tën në botë për rrezikun e pastrimit të parave.

Sipas Moneyval, pjesë e riskut për Shqipërinë vjen si pasojë e ekspozimit të lartë të tregut shqiptar ndaj kompanive të regjistruara në parajsa fiskale.

Parajsat apo strehat fiskale janë territore apo juridiksione që u mundësojnë personave jo rezidentë të shmangin detyrimet fiskale në vendet që kryejnë realisht aktivitetin e tyre.

“Kompanitë offshore kanë si karakteristikë që ndërmarrin transaksione nga kompanitë mëma apo bija, duke fshehur taksat,” tha Preçi për BIRN.

Përveç avantazheve fiskale, vendet offshore mundësojnë anonimatin e personave që ‘fshihen’ pas kompanive si dhe ruajnë  sekret të lartë bankar.

“Gjykohet apo vlerësohet që në një pjesë të këtyre kontratave, politikanë të rëndësishëm shqiptarë apo zgjatime të tyre nga komuniteti i biznesit janë bashkëpronarë,” shtoi Preçi .

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se nga 33 kontrata të Partneritetit Publik Privat në Shqipëri [pa përfshirë koncesionet në sektorin e energjisë], 1/3 e tyre janë fituar nga kompani të regjistruara në parajsa fiskale. Nga këto kompani të regjistruara offshore, në 10 raste nuk njihet përfituesi fundor i tyre.

Kompanitë e regjistruara ‘offshore’ i transferojnë shpesh aksionet nga një entitet në një tjetër, një mekanizëm që sipas ekspertit Zef Preçi shërben për të humbur origjinën e vërtetë të parave.

“Ky fenomen ka qenë konstant gjatë gjithë periudhës, duke përfshirë edhe sektorët strategjikë,” tha Preçi, i cili thekson se vitet e fundit ky mekanizëm po përdoret edhe për të pastruar paratë që vijnë nga droga. “Kompanitë regjistrohen jashtë, vijnë bëjnë një aktivitet në Shqipëri, që del shumë fitimprurës e më pas shitet e rishitet e kështu humbet origjina e parave, pra është pjesë e ciklit të fshehjes së origjinës së parave,” shpjegoi ai.

Edhe sipas aktivistit dhe ekspertit të ekonomisë, Pano Soko, shitja e aksioneve nga këto kompani është pjesë e një skeme përftimi jo transparente.

”Çdo gjë që ndodh jashtë dritës së diellit dhe jashtë logjikës financiare, ka nga mbrapa një skemë,” tha Soko.

“Nëse shikojmë kompani koncesionare, të cilave iu ndërrohen pronarët apo kemi shitje të aksioneve, këto janë skema që ndërtohen në atë formë për të shfrytëzuar të gjitha hapësirat e vogla ligjore, me qëllim që në finale të përfitojë ai që duhet të përfitojë,” shtoi ai.

Ndërkaq, edhe 5 nga 6 kompanitë që kanë firmosur marrëveshje hidrokarbure për nxjerrjen e naftës rezultojnë të regjistruara në parajsa fiskale.

Nisma për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (EITI) ka kërkuar prej vitesh hartimin e një pakete ligjore për publikimin e përfituesve realë të kompanive që operojnë në sektorët e industrisë nxjerrëse dhe elektroenergjisë.

“Ne kërkojmë që marrëveshjet hidrokarbure të jenë të hapura dhe të disponueshme për këdo që kërkon informacion,” tha Anila Hajnaj, përfaqësuese e shoqërisë civile në Grupin Ndërinstitucional të EITI-t.

“Transparenca kërkon që të identifikohen pronarët e vërtetë, e thënë ndryshe përfituesit realë të kompanive operuese në industrinë nxjerrëse, për të parë nëse njerëz me pushtet influencojnë për përfitime personale, gjë që përbën bazën e korrupsionit,” shtoi ajo.

Regjistri i pronarëve përfitues

Me datë 29 korrik, Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekretoi ligjin 112/2020 “Për regjistrin e pronarëve përfitues.” Ky ligj vinte si pjesë e rekomandimeve të komitetit te ekspertëve të Moneyval kundër pastrimit të parave.

Ky regjistër do të përmbajë të dhëna të përgjithshme mbi subjektin raportues dhe të dhëna të detyrueshme për pronarët përfitues të subjektit raportues, ndërkohë që ai duhet të jetë gati jo më vonë se data 31 janar 2021.

“Duke qenë se Shqipëria është renditur si vendi i dytë në Evropë për pastrimin e parave, patjetër që institucionet partnere do të reagonin dhe ky është një detyrim në kuadër të anëtarësimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian,” shpjegoi Pano Soko.

Sipas ligjit, subjektet raportuese kanë detyrimin të ruajnë dhe të mbajnë të dhëna dhe dokumente shoqëruese të duhura, të sakta dhe të përditësuara, në bazë të të cilave përcaktohen pronarët përfitues të subjektit dhe lloji i kontrollit të pronarëve të tyre përfitues.

Sipas Zef Preçit, ekonomia shqiptare nuk ka përfitime nga ekspozimi i lartë ndaj kompanive ‘offshore’, madje këto kompani përbëjnë rrezik për zhvillimin e tregut.

“Është dëmtuar konkurrenca nga këto lloj kontratash, interesi publik, përfitueshmëria ekonomike, janë kufizuar fondet që minimumi do të shpenzoheshin brenda vendit, pra ka ndodhur fenomeni i nxjerrjes së parave jashtë vendit,” theksoi ai.

“Vlerësimi duhet bërë për çdo sektor, por ajo që mund të them për naftën është që do të kishte qenë më me leverdi për ekonominë dhe të ardhmen e vendit, që këto pasuri të rrinin nëntokë sesa shfrytëzoheshin në këtë formë, duke marrë parasysh edhe dëmet në mjedis,“ shtoi Preçi.

Ndërkohë, Soko thekson se fakti që qeveritë nuk e ndalojnë ekspozimin ndaj këtyre kompanive do të thotë që e përkrahin apo e nxisin përdorimin e tyre.

“Logjika e pastër të çon te përfundimi që patjetër këtu ka politikanë apo njerëz të përfshirë me politikën, të cilët kanë interes dhe pse jo të jenë edhe të përfshirë në këto kompani që përfitojnë para nga buxheti i shtetit,” tha Soko.

Fshehja e politikanëve pas kontratave koncesionare i bën ekspertët e ekonomisë skeptikë për suksesin e regjistrit të përfituesve fundorë.

“Kjo është procedurë formale, por që nuk zgjidh gjë, pasi pasuritë do të vazhdojnë të grabiten,” tha Preçi.

Ai mendon se Shqipëria duhet të ndalë me ligj ofertat e pakërkuara koncesionare, pjesëmarrjen në tenderë publikë të kompanive ‘offshore’ – pavarësisht nga vendi ku janë të regjistruar (në Europë apo jashtë saj), si dhe të rritet bashkëpunimi me agjencitë ndërkombëtare ligjzbatuese, sidomos me ato që ndjekin evazionin fiskal, korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Edhe Soko sugjeron përjashtimin e kompanive të regjistruar në parajsa fiskale nga garat tenderuese dhe përfitimi i parave publike.

“Nëse ka vullnet politik, mjafton të dalë një VKM, ku thua që ndalohen kompanitë të cilave nuk iu dihet përfituesi fundor e kështu përjashton nga gara çdo kompani offshore,” tha ai.

Ndërkaq, Preçi kërkon edhe mbajtjen e përgjegjësisë, sidomos për autorizimet që ka dhënë ministrat përgjegjës për ekonominë për shitje e rishitje aksionesh  apo për transferime të pasurive.

“Në çdo fushatë elektorale premtojnë që do ia kthejnë pasuritë popullit, por më pas i thonë popullit që janë kontrata të ratifikuara nga parlamenti dhe nuk mund të ndryshojnë,” tha Preçi.

“E vërteta është që është tentuar të përdoret parlamenti si koracë për vendime, të cilat janë në mos haptazi në kundërshtim me ligjin, pa interes ekonomik, pa justifikim për interesat ekonomike kombëtare, pra pa dobi kombëtare,” përfundoi ai.

Për t'ju bashkuar grupit të Faxweb.al në Facebook, klikoni Join Group
loading...

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *