Deputeti i LSI-së Nasip Naço nga foltorja e Kuvendit ka deklaruar se marrëveshja e ekstradimit me Mbretërinë e Bashkuar është një gjë mjaft poxitive.
Sipas tij ky është një lajm i mirë për gjithë shqiptarët por edhe për partnerët ndërkombëtarë, por sigurisht një lëjm i keq për skifterët londinezë të cilët me këtë marrëveshje nëse kanë bërë vepra penale në Britani do të ekstradohen atje për t’u përballur me drejtësinë.
Naço thotë se një shembull i mirë është marrëveshja me Italinë ku në disa vite janë ekstraduar rreth 200 shtetas shqiptarë në drejtim të Italisë.
“Të nderuar kolegë deputetë, unë besoj se është një lajm i mirë për të gjithë qytetarët shqiptarë por dhe për partnerët tanë ndërkombëtar, sot në miratimin e kësaj marrëveshje për ekstradimin me Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandën e Veriut por sigurisht është dhe lajm i keq për të gjithë ata skifterë Londinez që sot marrin lajmin se kjo marrëveshje do miratohet. Për shumë kënd në plan të parë një njoftim i tillë do nënkuptonte thjesht një akt që do të plotësonte kuadrin ligjor midis dy vendeve tona në zbatim të Konventës Europiane për ekstradimin të viti 1957, në fakt nënshkrimi i marrëveshjes së ekstradimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, përveç se do të kishte një rëndësi në drejtim të thellimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, është padyshim një mekanizëm më shumë të agjencive ligjzbatuese që do të mundësoj intensifikimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe drogës dhe vënien para drejtësisë së gjithë subjekteve me precedent penal të shpallur në kërkim prej vitesh të cilët nuk mund të ekstradoheshin reciprokisht deri më sot, për shkak të barrierave ligjore, e thënë më qartë nënshkrimi i kësaj marrëveshje do të bëjë të mundur ekstradimin e shtetasve shqiptarë nga Shqipëria në drejtim të Mbretërisë së Bashkuar dhe anasjelltas, duke çuar para drejtësisë të gjithë ata persona që kryejnë krime në Britaninë e Madhe. Duke u kthyer pas në vite dhe duke bërë një analizë bazike sesi kanë derivuar marrëdhëniet midis dy vendeve, dua të sjell në vëmendjen tuaj se Konventa e parë e ekstradimit midis Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe është nënshkruar në korrik të vitit 1926 dhe është miratuar në vitin 1927, pra u deshën plot 90 vjet që ne të miratonim një marrëveshje të re ekstradimi, ndërkohë në vitin 2013 është nënshkruar dhe marrëveshja e Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së madhe dhe Irlandës së Veriut mbi transferimin e personave të dënuar. Të nderuar kolegë deputetë, ne vazhdojmë të kemi marrëveshje ekstradimi nga viti 1935 me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe unë do të inkurajoja Ministrinë e Drejtësisë dhe qeverinë shqiptare për të nënshkruar një marrëveshje të re në përputhje me konventat e miratuara por dhe me dinamikën në shfaqjen e kriminalitetit në ditët e sotme, ne kemi marrëveshje ekstradimi me Kosovën dhe sigurisht sistemet tona ligjore dhe gjyqësore ndryshojnë nga shumë vende të Bashkimit Europian. Dhe kjo marrëveshje e nënshkruar në zbatim të Konventës Europiane për Ekstradim të vitit 1957 krijon një premisë pozitive për forcimin dhe bashkëpunimin midis dy vendeve si dhe shënon siguri ligjore dhe stabilitet të marrëdhënieve tona. Ndërkohë që gjej rastin të inkurajoj Sistemin Gjyqësor për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në kuadër të këtij bashkëpunimi kaq të rëndësishëm, I cili duhet të na motivojë dhe ti motivojmë për ti dhënë një hov të ri sistemit të brishtë ligjor në vendin tonë, dhe besoj se me Reformën në Drejtësi gjyqtarët tanë do jenë po aq të denjë sa gjyqtarët në Britaninë e Madhe dhe në vendet e tjera. Më tej akoma, përmes kësaj marrëveshje por edhe marrëveshjeve të tjera, Shqipëria përcjell jo thjesht një mesazh, por më shumë e konkretizon atë duke bërë me dije se ne nuk do të eksportojmë krimin apo më keq akoma, ne nuk do të jemi një vend dhe një strehë për krimin, dhe mundësi ku persona me precedentë penal të kenë siguri dhe ti shmangen drejtësisë. Marrëveshja midis Shqipërisë dhe Italisë, e miratuar vetëm disa vite më parë në lidhje me ekstradimet dha një mesazh të qartë bashkëpunimi me qeverinë italiane dhe organet e tjera ligjzbatuese, por edhe një mesazh të qartë për të gjitha ata që kryenin krime në Itali dhe strehoheshin në Shqipëri, se kishte ardhur koha që të përballeshin me drejtësinë italiane, dhe jo pak por në disa vite janë ekstraduar rreth 200 shtetas shqiptarë në drejtim të Italisë. Sigurisht krimi duke u goditur si në Itali dhe në Shqipëri është eksportuar dhe është diku tjetër. Nga lajmet sot dëgjojmë që është arrestuar një komisar policie, I cili është dënuar 10 vjet në Itali. Është një përgjegjësi morale e drejtuesve të Policisë së Shtetit. Besoj se ka ardhur koha që Policia e Shtetit duhet pastruar nga të gjithë këta element kriminale që vegjetojnë në Policinë e Shtetit. Në këtë shekull, rreziku I vazhdueshëm I bashkëjetesës me krimin po bëhet përherë dhe më I pranishëm. Frika e “skifterëve” për tu kapur është ulur për shkak të kufijve të munguar, ndonëse në fakt janë hequr për të lehtësuar lëvizjen e lirë të njerëzve dhe tregtinë, sigurisht u krijon mundësinë personave me precedentë penalë që të lëvizin lirisht dhe ti shmangen arrestimit. Në këtë aspekt është më rëndësi të thuhet se ekstradimi është një proces që çon drejt luftës dhe shtypjes së krimit, është një mesazh i qartë dhe i fortë për të gjithë kriminelët, të cilët janë arratisur nga Britania e Madhe, dhe strehohen sot në Shqipëri”, tha Naço.
(B.H/Shuplaka)