Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, me anë të një postimi në rrjetet sociale ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në Prokurorinë e Krime të Rënda.
Sipas tij, transferimi i prokurorëve të Krimeve të Rënda si prokurorë në rrethe, nuk është shqetësim për dosjet e rëndësishme të cilat ata kishin në dorë si ajo “Tahiri” dhe “Shullazi”, por çështja është më shumë se kaq. Manjani shprehet se këto lëvizje synojnë shkrirjen e Krimeve të Rënda do jo luftën e krimeve të rënda.
“Nuk është shqetësimi kryesor se çështja ‘Tahiri’ apo ‘Shullazi’ mbetën pa prokurorë. Gjenden gjithnjë prokurorë, sa për të mbyllur proceset e nisura…
Problemi madhor është se U SHKRI Prokuroria e Krimeve të Rënda, që përbëhej nga prokurorë specialë në luftë kundër krimeve të rënda!!!
Sot ky shërbim nuk ekziston më! As Arta dhe mikja e saj Donikë, nuk e bëjnë dot këtë detyrë. Përveç se nuk duan, as nuk dinë ta bëjnë! Nuk i kanë aftësitë e nevojshme.
Mesazhi që shteti-pushtet i jep publikut është që : Nuk ka ndërmend të godasë krimet e rënda! Aq më pak të godasë krimin e organizuar në pushtet!
Kjo është më e rënda që ka ndodhur!
Në fakt kishte kohë që kishte ndodhur, por këto ditë u bë e njohur publikisht. Fal me shnet reformës!”, – shkruan Manjani.
Kujtojmë se një ditë më parë u transferuan në rreth prokurorët Besim Hajdarmataj, Sonila Muhametaj dhe Olsian Çela.
(B.B/ Faxweb.al)