Shkarkoni aplikacionin e Fax Web

 


AktualitetFlashKryesorePolitikëTe FunditTe Gjitha

“Mandati yt mund të mbarojë shumë shpejt”, Rama i vë ‘vulën’ shèrrit me Lelin: Vendosëm pikat mbi ‘i’, qytetarët e besuan por duhej të ushqente besimin

Kryeministri Edi Rama ka pranuar publikisht se ka pasur një debat me kryebashkiakun e Vlorës Dritan Lelin, fakt i cili u raportua nga Faxweb.al, ndërsa shprehet se si pasojë e tij, beson se ka gjetur mirëkuptimin për t’i ndryshuar gjërat për mirë.

Rama tha gjatë një prononcimi për një televizion lokal se debati ka lindur për çështje të disa ankesave në zonën  e Zvërnecit por pa pranuar nëse janë çështje pronësie, e nga ana tjetër pavarësisht se e konsideron keqkuptim, për minuta të tërë ka përsëritur disa herë se ngaqë ka pritshmëri të mëdha nga kryebashkiaku, edhe në njëfarë mënyre është i pakënaqur me të, pavarësisht se këto nuk janë ekzaktësisht fjalët.

“Ne kemi pasur një takim, kjo është e vërtetë, është e vërtetë që është bërë dhe në Zvërnec dhe ju e dini që ka pasur një moment pakënaqësie në atë zonë të një sërë subjekteve që kanë investuar në infrastrukturë të lehtë mikrpitjeje për turistët ditor. Debati ka ardhur si rezultat i një keqkuptimi dhe është krijuar ideja se ato struktura do të prisheshin dhe ka munguar një komunikim efektiv dhe një zgjidhje e menjëhershme me  Bashkia e Vlorës.

Kemi pasur një debat dhe kemi vënë pikat mbi ‘I’ lidhur me shumëçka që duhet përmirësuar, për gjithçka që mund të kemi për të përmirësuar. Unë nuk jam i kënaqur me asnjë madje as me punën time dhe nga Dritani që jam i kënaqur për shumëçka por jo gjithçka, por duhet të bëjë më tepër në këtë rast që duhet të punojë më shumë. Unë kam respekt për të, për shumëçka, por duhet të punojë akoma më shumë. Biseda është zhvilluar në mënyrë shumë të hapur, jam i bindur se të gjithë do përmirësojmë më tepër punën për qytetin e Vlorës, është  bërë shumë punë por ka ende për t’u bërë”, – tha Rama.

I pyetur për sondazhet në Vlorë, ku Partia Socialiste ka pësuar rënie me vetëm 30% mbështetje nga elektorati, dhe se kjo ka gjetur edhe pakënaqësinë e hapur të deputetit Damian Gjiknuri ku ka pohuar se në këtë situatë nuk do të vijojë më të merret me Lelin, kreu i qeverisë u shpreh se duhet punuar më shumë dhe puna të përmbysë sondazhet.

“Këto janë zhvillime shumë të natyrshme të fantazisë dhe nevojës për të bërë klikime duke krijuar lajme të rreme. Nuk ka asgjë të vërtetë në këto. Ne kemi pasur vazhdimisht mbështetje të madhe në Vlorë, por së fundmi kemi mbështetje shumë të madhe, për shkak të asaj që kemi bërë. Ne kemi nevojë të shohim me shumë më tepër vetëdije dhe të kërkojmë shumë më tepër nga vetja. Respektoj kryebashkiakun, integritetin e tij dhe faktin që gjithë këto vite që kemi punuar së bashku ka qenë i vlefshëm dhe për faktin se besoj shumë e ka shumë për të dhënë edhe për PS, edhe për qytetarët, në momente të caktuara t’i japi vetës një shtysë përpara.

Sa ju përket sondazheve ato janë kuptimplota dhe ajo çfarë dua është të shkojmë përtej tyre. Ne në Vlorë nuk kërkojmë vetëm fitore por përtej saj. Në këtë aspekt nuk është çështje e një individi e Dritanit por e gjithë Bashkisë të forcojë performancën dhe të ndërtojë një marrëdhënie shumë më të afërt me qytetarët që kanë gjithëçshfarë hallesh. Nuk është çështja individi, e Dritanit, por e një bashkie të tërë që duhet të përmirësojë të gjitha aspektet e performacës së saj dhe duhet të ndërtojë një marrëdhënie më të afërt dhe më komunikuese me qytetarët që kanë shumë halle. Populli ka një shprehje që thotë “një hall që nuk ma zgjidh dot të paktën ma qaj”.  E kam fjalën për një qasje të përgjithshme ”, – tha Rama.

Në fund, Kryeministri i dha dhe një mesazh kryebashkiakut se çështja nuk është tek fitorja, por se sa thellë fitohet. Ai shtoi se Dritan Leli duhet të bëjë më shumë teksa theksin e ka vënë tek ideja për të qenë më i afërt me njerëzit, e natyrisht nuk mund ta shprehte dot hapur se pakënaqësinë e tij me fjalë më të qarta se kaq. Rama ka përmendur pikëpamjen morale dhe atë elektorale ku duke folur për të parën pohoi se Leli ka pasur mbështetjen qytetare në fillim por nuk mund ta ketë në vijimësi nëse nuk e ushqen.

“Një skuadër që fiton është një skuadër që gjykohet thonë, por është një skuadër që vazhdon të fitojë është e dënuar të jetë vetë kritike dhe vetë kërkon nga vetja. Kjo vlen për mua, vlen për të gjithë të tjerët, vlen edhe për Dritanin që duhet të bëjë më shumë. Ka mbështetjen tonë dhe të komunitetit, por nuk mund ta ketë gjithmonë duhet ushqyer çdo ditë, me punë dhe afrimitet me njerëzit. Kemi një drejtues me integritet në Vlorë, një person që nuk kam dëgjuar që cënojnë etikën e drejtimit, ashtu sikundër kur kujtoj se vite më parë në institucionet e qeverisë në Vlorë bënin pazare të përditshme, e sot nuk flitet për futjen në punë me lekë, por kjo nuk është përveç një ndryshim i madh, ajo çfarë duhet. Nuk është çështja a fitojmë a s’fitojmë, nga pikëpamja elektorale është sa thellë fitojmë, nga pikëpamja morale, sa ua kthejmë njerëzve. Duhet të jemi shumë më afër njerëzve në Vlorë dhe këtë gjë duhet së pari ta demonstrojë Bashkia. Pikërisht pse besoj tek Dritan Leli jam shumë kërkues ndaj tij” përfundoi Rama.

(F.GJ/FAXWEB.AL)

Për t'ju bashkuar grupit të Faxweb.al në Facebook, klikoni Join Group
loading...

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *