Kryeministri i vendit Edi Rama gjatë një interviste të dhënë mbrëmjen e sotme në emisionin ‘Open’, foli në lidhje me makinën e ndaluar nga simpatizantët e PD-së në Maqellarë ku u gjetën rreth 7 milionë lekë të dyshuara për blerjen e votes nga PS.
Rama minimizoi problemin e blerjes së votës duke maksimalizuar problemin e strukturave për mbrojtjen e votës duke i cilësuar si paramilitarë. Rama theksoi se rezultati në Dibër aktualisht është 3 me 2 për PS-në dhe forcat opozitare LSI dhe PD po luftojnë mes veti për një mandate.
“Këtu që të jetë shumë e qartë, makina me këta persona është një problem shumë më i vogël se sa dalja e grupeve paramilitare për t’i kërkuar llogari njerëzve. Të duket Shqipëria si një vend i fiseve Hutu dhe Tuci me këta. Nëse ka një forcë politike në Shqipëri që blerjen e votës e ka mekanizëm është LSI.
Ditën e sotme është publikuar një video ku një deputet i LSI-së është kapur duke blerë vota dhe është zhdukur, kur policia është duke e kërkuar.
LSI-ja nuk merr dot deputet në Dibër, LSI-ja është në luftë me PD-në në Dibër për një deputet. Rezultati në Dibër është 3-2 për PS-në dhe këtu jemi të hënën do ta shohim”, tha Rama.