Shkarkoni aplikacionin e Fax Web

 


AktualitetTe Fundit

Magazina e drogës/ Rrëfimi i punëtores: Na paguanin me 20 mijë leke dita 

Në Rrëshen, lajmi se në një magazinë do të mund të punohej me 20 mijë lekë të vjetër në ditë është përhapur shpejt nëpër familjet që i përkasin shtresës sociale më të varfër në qytet. Pa punë, në skamje e fëmijë të uritur, ata nuk kanë marrë fare parasysh rrezikun. Madje çuditërisht, te disa prej tyre puna në magazinë është perceptuar gati­gati si e një “fasoni” të zakonshëm për të cilin policia kishte dhënë lejen.

Njëra prej tyre, e cila nuk pranoi të identifikohet për shkak se i druhej një arrestimi të mëvonshëm, u shpreh se ishte detyruar nga varfëria për t’u punësuar në magazinë. Por fillimisht, sipas saj, ajo nuk kishte qenë në dijeni se çfarë pune do të bënte konkretisht dhe se aktiviteti brenda godinës që ndodhej afër shtëpisë së saj ishte i paligjshëm. Më pas, e detyruar nga rrethanat dhe për bukën e gojës së fëmijëve të saj, ajo ka pranuar të punojë, ndonëse thekson se u kap nga policia që ditën e parë. Si u “punësuat” në objektin ku thahej e magazinohej lënda narkotike? Rrësheni është sa një grusht, merren vesh gjërat. Mua më thanë disa gra që i njihja nëse doja të punoja, por nuk e kisha idenë fillimisht as se çfarë do të bëja, as rrezikun dhe paligjshmërisë. Nuk e dija fiks se çfarë do të bëja aty. Madje mendoja se kjo magazina ishte e kontrolluar nga policia dhe se ishte dhënë leja për ta bërë këtë punë. Të paktën kështu më thanë…

Sa ditë punove aty?

Atë ditë që na erdhi policia ishte dita e parë. Nuk e jam e sigurt nëse të tjerë mund të kishin punuar edhe më parë aty, por për mua dhe jam e sigurt edhe për disa gra të tjera, ishte dita e parë. Filluam rreth orës 09:00 dhe krejt papritur në drekë ia behu policia. Na shoqëruan dhe na morën në pyetje, më pas na liruan ne grave. Gabimisht bashkë me ne shoqëruan edhe një vajzë 16 vjeçe, e cila kishte ardhur t’i sillte një cigare së motrës dhe nuk kishte lidhje fare me punën aty.

Sa lekë do të të paguanin për punën që do të bëje aty?

Më thanë 20 mijë lekë dita. Unë jam e papunë dhe kam fëmijë për të mbajtur. Nuk kam asnjë mundësi mbijetese dhe për mua punësimi aty ishte një mundësi shumë e mirë për të siguruar disa para. Ju dhanë paradhënie apo si? Jo, atë ditë që fillova punën, atë ditë më kapen. Nuk kam marrë asnjë lek. Keni dijeni se kush ishin shefat tuaj? Unë nuk pashë asnjeri brenda magazinës. Aty brenda kishte vetëm punëtore, askush tjetër. Nuk di si jemi organizuar të gjithë për të shkruar njëri pas tjetrit aty, por brenda magazinës unë nuk pashë askënd që të na drejtonte.

Ju thatë se jeni detyruar ta kryeni këtë punë për para. Po gjendja ekonomike e grave të tjera që u kapën bashkë me ju si është?

Jemi njësoj të gjitha. Tri prej grave që u kapën janë të divorcuara. Janë të papuna dhe po i rrisin fëmijët në kushte të rënda. Një tjetër grua e moshuar është e ve. Ka disa të tjera që kanë nga shumë fëmijë dhe asnjë të punësuar në familje. Ishim të gjitha thuajse në të njëjtat kushte sociale dhe të papuna. U detyruam të punonim. Por ne nuk jemi kriminele. Nuk po vrasim njeri. Po luftojmë për bukën e fëmijëve tanë. Jetojmë në mjerim dhe kushdo që të shohë kushtet ku jemi do të na japë të drejtë.

Ju kanë thirrur më në polici për të dëshmuar?

Jo. Kemi dhënë dëshmi vetëm ditën që na kapi policia. Na kanë thënë se mund të na thërrasin prapë. Nuk dimë asgjë se si do të veprohet me ne, por ne nuk jemi kriminele. Gjithçka e kemi bërë për bukën e fëmijëve. / Panorama

Fjalët Kyce
Për t'ju bashkuar grupit të Faxweb.al në Facebook, klikoni Join Group
loading...