Ramush Haradinaj, kryeministër në ikje i Kosovës thotë se e gjithë beteja e Serbisë është për të marrë Trepçën, një nga 3 pasuritë më të mëdha në Europë dhe një nga 5 pasuritë më të çmuara në gjithë globin.
Gjatë një interviste për Fax News me gazetaren Edona Haklaj, Haradinaj tha se Serbia do të përfitonte vullnetarisht 10 miliard dollarë me ndarjen e Kosovës ndërsa argumenton se ka miratuar disa vendime dhe ligje gjatë qeverisjes së tij për të fundosur këtë skenar dhe njëri prej tyre është ai për ushtrinë.
Haradinaj foli edhe për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, por jo me çmimin e ndarjes së Kosovës.
“Unë nuk jam kundër bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, por nuk jam me një bashkim që ka si kusht ndarjen dhe copëtimin e Kosovës, kjo do të ishte tragjike, do të shkaktonte edhe luftëra. Mogherini ka lëvizur me deklaratat e saj, në vazhdimësi ka qenë e lëkundur. Nuk mundet dikush të na dëmtojë pa vullnetin tonë sepse jemi i njëjti gjak, kam ardhur në Shqipëri dhe kam shkuar kudo ku ka shqiptarë dhe i kam sqaruar për qëndrimin tim, në media, në takime.
I qëndroj asaj që kam thënë, Veriu i Kosovës është zona e tretë më e pasur në Europë dhe e pesta në gjithë rruzullin tokësor. Me çmimet e sotme të tregut miliarda dollar, 10 miliardë euro kishte fituar Serbia me ndarjen e Kosovës me vetëdije dhe përfituesi do të ishte vendi më kundërshtar ndaj nesh. Ta dije çdo shqiptar në glob se kjo është e vërteta e Kosovës. Për këtë arsye është bërë gati shkatërrimi i Jugosllavisë. Trepça është Kosovë 100%. Ua kemi prishur matematikat e pista, ligjet e para që kemi bërë janë ligjet e ushtrisë, që është mbrojtje e territorit dhe e drejta për të luftuar nëse është nevoja. E kemi ndarë tregun prej tyre. Këto veprime janë themele kundër ndarjes së Kosovës”, tha Haradinaj.
Për kërkesën e Macronit ndaj tij që sipas Ramës i ka bërë me premtimin e heqjes së vizave, Haradinaj tha:
“Jo, Macroni nuk është tregtar me shit vizat për taksën. Pse nuk bëri Rama tregti për hapjen e negociatave. Por është e pamundur. Po, jemi në bisedime me ndërkombëtarët për funksionimin e shtetit”.
(F.GJ/FAXWEB.AL)