Ish-deputeti i PD-së në qarkun e Fierit Luan Baçi, ka qenë sot në një intervistë në Fax news, ku mes të tjerave ka komentuar dhe vendimin e dhënë nga Komisioni për vlerësimin e kandidatëve në PD, që e skualifikuan nga gara për zgjedhjet e ardhshme.
Baçi tha se ai ishte dakord me vendimin e marrë nga Komisioni, ndërsa shtoi se do të ishte pjesë e PD-së dhe në fushatën e radhës, duke dhënë kontributin e tij.
“E respektoj çdo vendim të Komisionit. Vendimet e Komisionit kanë qenë të drejta, të pastra. Unë do të vazhdoj që të jem pjesë e PD-së, edhe në qoftë se nuk jam pjesë e listave për deputetë. Do të vazhdoj të jap kontributin tim në PD”, u shpreh Baçi.
Biseda më tej u ndal dhe te greva e naftëtarëve, për të cilën Baçi kërkoi nga qeveria një ndërhyrje sa më të shpejtë, pasi sipas tij gjendja e zonjave po rëndohet dita ditës.
Kujtojmë se në listën e të përjashtuarve të PD-së ishin: ANDON FRROKAJ, ARBEN KASHAHU, ENDRI HASA, ERVIN SALIANJI, FATBARDHA KADIU, IZMIRA ULQINAKU, LINDITA METALIAJ, LORENC LUKA, LUAN BACI, NADIRE MEÇORAPAJ, ROMEO GURAKUQI, TRITAN SHEHU dhe XHEMAL GJUNKSHI.
Disa prej të përjashtuarve kanë reaguar në rrjetet e tyre sociale, duke thënë se ata do ti binden çdo vendimi të kryesisë dhe të strukturave të partisë, dhe jo vlerësimeve të Komisionit, dhe se fati i tyre do të vendosej nga kreu demokrat Lulzim Basha.
Por a mund të rifuten ata në listë, pas vendimit të Komisionit të Vlerësimit?
Të gjitha gjasat janë që jo! Ka qenë vetë kreu demokrat, ai i cili ka përkufizuar qartë se çfarë do të ndodhë me të gjithë kandidatët që Komisioni i lë në listën e pritjes. Të gjithë këta pëersona, thuhet në dokumentin e firmosur nga Basha, mund të jenë pjesë e qeverisë, nëse PD fiton zgjedhjet por jo në listën e deputetëve.
“Kandidatët që nuk përzgjidhen në fazën finale, kalojnë në listën e kandidatëve që iu shtyhet aprovimi. Lista e kandidatëve që i shtyhet aprovimi përbën një listë të certifikuar të burimeve njerëzore të PD, që mund të përdoret për përfaqësimin e Partisë në nivele ekzekutive polirike, në detyra shtetërore si funksionarë politik apo shtetëror të nivelit drejtues, apo si përfaqësues në këshillat lokal“, thuhet në dokument.