Qarku i Vlorës ka përfunduar procesin e numërimit të votave, ku duket se rezultati nuk sjell suprirza dhe as tërmetin e famshëm për socialistët. Në këtë qark Partia Socialiste është ajo që kryeson duke siguruar 8 mandate, ndërsa Partia Demokratike ka marrë 4 mandate, ndërsa LSI e drejtuar në këtë qark nga Luan Rama nuk ka mundur që të sigurojë mandat.
E përkthyer në vota PS ka marrë 58845 vota, ose 57.89%. Ndërsa PD-AN ka marrë 32067 vota, ose 31.55%.
Në këtë qark në total ishin 445 kuti votimi, ndërsa numri total i zgjedhësve në listë është 318 428. Sa i përket votave të pavlefshme, sipas KQZ, ato janë 4722.
Qarku i Vlorës ka qenë dhe një nga më të diskutuarit për shkak se PS kishte në plan që të tentonte fitimin e mandatit të 9-të, ndërkohë që në lojë u fut dhe presidenti Meta, i cili tha se e dogji një skenar të tillë të socialistëve.
Në qarkun e Vlorës kandidonte dhe kryeministri Edi Rama, i cili e kishte lënë veten të 8-tin në listë njësoj si në qarkun e Durrësit. Mbetet për t’u parë nëse Rama do të jetë deputet i Vlorës apo Durrësit, pasi ka thënë që do të zgjedhë qytetin ku është votuar më shumë.
Në këtë qark u fol për përplasje dhe përçarje brenda vetë radhëve të LSI-së e duket se këto zëra kanë bërë që kjo forcë politike të mos marrë asnjë mandat në Vlorë.
Kur janë numëruar 4653 qendra votimi nga 5199 që janë në total, PS ka marrë 48.66 % të votave në rang kombëtar, PS ka marrë 39.37 % dhe LSI 6.91%, ndërsa PSD e Tom Doshit 2.2%.
E përkthyer në mandate deri në momentet që flasim PS ka siguruar 72 të tillë, PD 59, LSI 6 dhe PSD 3.
Fitorja e mandatit të tretë nga ana e Edi Ramës është një rekord më vete në historinë demokratike të Shqipërisë, pasi asnjë forcë politike nuk ia kishte dalë që të qëndronte më shumë se 8 vite në pushtet.
Ndërkohë që PD e kryesuar nga Lulzim Basha, pavarësisht se ka një përmirësim të dukshëm të rezultatit në raport me 4 vite më parë, duket se nuk ka sjellë frymën e duhur që të mund të bënte ndryshimin e madh.
E zhveshur nga të gjitha pushtetet opozita hyri në këtë garë me bindjen se do ti fitonte zgjedhjet, por duket se kjo nuk ndodhi, edhe pse shpresat e tyre janë për një mrekulli deri në numërimin e kutisë së fundit.
(E.K/Faxweb.al)