Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka diskutuar dekretin e presidentit për ligjin në Policinë e Shtetit, ku tha se Meta nuk i ka lexuar të gjitha nenet, dhe se qendrimi i tij ishte politik. Sipas Lleshajt ligji i Policisë është mbështetur në praktikat më të mira europiane, dhe se ka qenë nën monitorimin dhe të prokurorisë dhe SPAK.
“I jemi përshtatur praktikave më të mira evropiane. E gjithë procedura është nën monitorimin e Prokurorisë së Përgjithshme, e prokurorisë së veçantë, SPAKUT, dhe ministrisë së brendshme”, u shpreh Lleshaj.
“Në thelbin e këtij akti politik, presidenti pretendon se dhënia e kompetencës për mbikëqyrje të veçantë për Policinë e Shtetit, rrezikon të shkelë të drejtat e njeriut për arsye se është në varësi të ministrit të brendshëm. Ndërkohë që demokracitë funksionojnë mbi këtë parim.
Qeveria kontrollon dhe duhet ta kontrollojë administratën dhe burokracinë përndryshe demokracia do ishte në rrezik. Edhe ne kur kemi hartuar ndryshimet në ligj dhe presidenti që e ka kthyer i referohemi të njëjtit nen 221. Presidenti ka lexuar vetëm 4 pikat e para, ne kemi lexuar dhe 5.
Në thelb kodi i procedurës penale thotë që duhet të rregullohet veçmas dhe ne kemi rregulluar veçmas me parimet më të mira europiane dhe i japim policisë më pak atribute. Procedura nën mbikëqyrjen e SPAK dhe SHÇBA-së.
Duke e konsideruar aktin e kthimit të ligjit si akt të mirëfilltë politik, pa asnjë brendi juridike, duke theksuar faktin se ky ligj ka kaluar një proces të gjatë diskutimi, filtër diskutimi me partnerët tanë ju ftojmë ta votojmë dhe t’i hapim rrugë zbatimit të tij“, tha më tej Lleshaj gjatë fjalës së tij.