Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka qenë sot në Elbasan, ku nuk i ka shpëtuar pyetjes së këtyre ditëve të fundit, që është ajo mbi mundësinë e dorëheqjes së tij nga posti në qeveri. Lleshaj tha se ai do të vijojë që të qendrojë në detyrë, pasi ka një mision përpara të cilin do ta çojë deri në fund.
“Asnjë deklaratë e kundërt nuk ka qenë, as në Shkodër as në Vlorë, në ç’kuptim do të qendroj apo do të largohem, unë nuk dorëhiqem, pasi kam një mision për të kryer, unë di vetëm të eci përpara”, u shpreh Lleshaj përpara gazetarëve.
Gazetarja, insiston më tej me pyetjen: Dmth nuk e njihni indietron?
Lleshaj: Jo
Ndërkohë që për t’i ardhur në ndihmë ministrit Lleshaj mendoi dhe Taulant Balla, i cili ndërpreu hovin e gazetarëve, duke thënë se ministri e ka kryer më së miri detyrën që i është besuar nga ana e socialistëve.
”Dua të them dhe unë dy fjalë për këtë çështje, hedh dikush një gurë në lumë dhe gjithë të mençurit e tjerë duhet ta ndjekin. Ministri Lleshaj prej ditës së parë në detyrë ka bërë një punë të mirë, si shpërblim i besimit që partia socialiste i ka dhënë”, u shpreh Balla gjatë fjalës së tij.
Kujtojmë se emri i Ballës u përfol si zëvendësues i mundshëm i Lleshajt në krye të Ministrisë së Brendshme.
Duke folur për atentatin e ndodhur mbrëmë në Tiranë, Balla tha se shpërthime të tilla ndodhin në kryeqytetet e të gjithë botës.
(E.K/Faxweb.al)