Vetëm pak më parë janë liruar nga ambientet e komisariateve të ndryshëm në kryeqytet, rreth 30 personat që kishin planifikuar të firmosnin para kryeministrisë një peticion për Genci Ballën, i cili ndodhet ende në grevë sipas informacioneve të marra nga të afërmit e tij.
Mbështetësit e imamit janë shoqëruar rreth orës 14:30, ndërsa janë mbajtur nëpër komisariate për rreth 6 orë. Sipas burimeve ata janë pyetur mbi motivet e tubimit që kishin planifikuar si dhe për kryerkjen e verifikimeve të nevojshme.
Ndalimi i tyre është bërë në zona të ndryshme të kryeqytetit dhe janë shoqëruar grupe-grupe nëpër disa komisariate. Sipas të ndaluarve, nuk ka pasur një motiv të veçantë apo arsyetim të pranueshëm për ndalimin e tyre.
Kujtojmë se i dënuari Genci Balla pak ditë më parë u transportua në gjendje të rëndë në spital pasi qëndroi disa kohë pa ngrënë në shenjë greve. Fillimisht u raportua se po kundërshtonte regjimin “41 bis”, por drejtori i burgut Bukurosh Malluta u shpreh se Balla ka refuzuar ushqimin pasi ka përbërje mishi. Sipas të dënuarit, mishi nuk ishte therur me bismilah dhe thoshte se ishte “haram”.
Balla është dërguar me urgjencë drejt spitalit të të burgosurve në Tiranë për të marrë trajtim të specializuar. Ndërkohë drejtori i burgut të Peqinit, Bukurosh Malluta i ka thënë Abdullah Ballës, djalit të të dënuarit se gjendja e Gencit është e stabilizuar.