Fax news zbardh vendimin për lirimin nga burgu të Fatjon Muratajt. Referuar vendimit ky shtetas është liruar nga burgu më 28 dhjetor, ku gjykata ka pranuar kërkesën e tij për masë më të butë sigurie. Sipas vendimit të gjykatës së Tiranës, prokuroria e ka bazuar kërkesën për caktimin e masës së arrestit me burg, në një provë të vetme që është ajo e gjumëve te gishtërinjve.
“Organi i akuzës e ka bazuar kërkesën për caktimin e masës së sigurimit, në një provë të vetme, që është gjurma papilare, por me kalimin e një kohe të arsyeshme, një provë e vetme e palidhur dhe shoqëruar me prova të tjera, nuk mund të përbëjë “arsye të mjaftueshme” për vazhdimin e masës së paraburgimit, në kushtet kur edhe kjo provë e vetme, nuk i përgjigjet më veprës penale për të cilën është regjistruar procedimi e është caktuar masa e paraburgimit”, thuhet në vendim.
Në këto kushte masa e sigurimit e zbatuar nuk i përgjigjet më rëndësisë së faktit të pretenduar nga organi akuzës, sepse një provë e vetme e palidhur dhe pashoqëruar me ndonjë provë tjetër direkte apo indirekte, nuk mund të shërbejë si bazë për të mbështetur dyshimin e arsyeshëm të bazuar në prova për faktin e pretenduar nga organi akuzës.
Për të gjitha sa më sipër arsyetuar, Gjykata çmon se ka ndryshuar rëndësia e faktit, dhe për shkak se ka ndryshuar rëndësia e faktit për të cilin është caktuar edhe masa e paraburgimit që është duke u zbatuar, kjo masë nuk i përgjigjet më rëndësisë së faktit të pretenduar nga organi akuzës e të materializur në dispozitën penale konkrete.
Gjithashtu gjykata cmon se, hetimi paraprak është i përfunduar, dhe shumë shpejt kjo çështje do të dërgohet për gjykim duke u paraqitur në Gjykatë kërkesa për “Dergimin e çështjes në gjyq”. Po kështu, Prokurori, si në vendimin e tij të arsyetuar për “Përfundimin e Hetimeve”, ashtu në “Njoftimin e akuzës të pandehurit Fatjon Murati (akte këto të administruara nga gjykata në fashikullin gjyqësor), sikurse edhe në seancën gjyqësore të datës 17.12.2022, ka theksuar qartazi faktin se, edhe nga ekzaminimi/ekspertimi teknik shkencor kryer telefonit të cilin ia kanë gjetur të pandehurit Fatjon Murati në momentin e ndalimit, telefon i cili ka qënë në përdorim të tij, nuk është arritur të provohet, as të dokumentohet, as nuk ka asnjë të dhënë, fakt apo rrethanë, bazuar në të cilat qoftë edhe të krijohet bindja se ndërmjet shtetasve Fatjon Murati dhe Kristjan Gjini, ka patur njohje, miqësi, shoqëri, komunikime të çfarëdo lloji, hyrje-dalje, apo çfarëdo lloj marrëdhënie, aq më pak marrëveshje mes tyre. Edhe i pandehuri ka mohuar njohjen me shtetasin Kristjan Gjini. Bazuar në ekzaminimin e telefonit, nuk ka rezultuar asnjë komunikim.
Për kete çështje gjykata vendosi, Pranimin e pjesshëm të kërkesës dhe zevendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, të dhënë me vendimin Nr. 1575/1 Akti, datë 11.10.2022, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ndaj të pandehurit Fatjon Murati, me masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”. Në vendim gjykata thotënse i pandehuri Murati, të qëndrojë, duke mos u larguar nga banesa e tij, ndodhur në adresën: Rruga “Shahin Matraku”. Gjithashtu në vendim thuhet se Murati urdhërohet të mos largohet nga banesa e tij, në të cilën ai banon, e përcaktuar në vendimin e Gjykatës. Sipas gjykatës ekzekutimi dhe mbikqyrja e kësaj mase sigurimi, në zbatim të vendimit të Gjykatës, do të kryhet nga Prokurori, nëpërmjet Policisë Gjyqësore, të cilët kontrollojnë respektimin e urdhërave që i janë dhënë të pandehurit.