Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj përmes një deklarate për mediat njoftoi se është shkarkuar nga detyra dhe është arrestuar drejtori i burgut në Lushnje dhe një tjetër punonjës.
Shkak për këtë është bërë lirimi i parakohshëm nga burgu i Kosovës në Lushnje i Lulzim Cakës, i njohur ndryshe dhe si i tmerrshmi i Beratit.
Nga ana tjetër Lulzim Caka është shpallur në kërkim, pasi duhet të kryejë dhe katër muajt e mbetur të dënimit të tij, që i ëhstë llogaritur gabim përmes falsifikimit të dokumenteve.
“Lulzim Cakaj është liruar 4 muaj e 22 ditë përpara përfundimit të dënimiit, për shkak të llogaritjes së gabuar të dënimit. Është arrestuar në flagrancë drejtori i burgut të Lushnjes Judmir Shurdhi dhe punonjësi Llazar Mio. Ata akuzohen për shpërdorim detyre dhe falsifikim i dokumenteve”, u shpreh Gjonaj.
Kush është Lul Caka dhe hakmarrja e tij për nënën
Lulzim Caka u rekrutua nga banda e Karbunarës, e cila drejtohej nga Bujar Sulaj (Loshi i Karbunarës), djali i tezes së tij. Më 26 mars 1996, Caka rishfaqet në skenë, kur akuzohet se ishte një prej atentatorëve të dy shefave të krimit të Beratit dhe Kuçovës, tek Ura e Samaticës.
Oficerët e policisë arritën të shpëtonin, por makina e tyre u dogj nga atentatorët. Por më tepër se nga policia, Caka do të gjurmohej dhe sulmohej gjatë këtyre viteve nga hasmit e tij. Më 20 korrik 1997, Lulzim Caka, bëri hapin e gabuar të përfshirjes në hakmarrjen mes fisit të palëve dhe Yzeirëve në fshatin Rërëz në Berat. Duke qenë njeri i afërt i fisit të Çalëve, Caka u implikua në vrasjen e Nezir Yzeirit, kunatës së tij Ashime dhe djalit të adoptuar të saj, Ilir Yzeiri.
Ndërkohë në qershor 1998, ai hapi një tjetër hakmarrje, kur vrau Lulzim Eminin, vëllain e “Miles”, të fortit të Fierit. Pas një ndjekjeje të gjatë të policisë, ai u arrestua dhe u dënua me 25 vjet burgim për këtë vrasje. Por hekurat e burgut të Lushnjës nuk ishin tepër të sigurt për një vrasës si Caka. Më 6 janar 2001, nëpërmjet një sharre, ai arriti të priste hekurat dhe të largohej nga qelia për t’u hakmarrë për përdhunimin dhe vrasjen e nënës së tij, Xhevries 56-vjeçare dhe vëllait Bardhoshit.
Dy personat e dyshuar për krimin e fundit, Valter Bega, 21 vjeç, dhe Maringlen Cami, 22 vjeç, u vranë më 22 mars 2001 prej tij. Në dhjetor të vitit 2001, ai u kap në Foxhia të Italisë. Ndërsa në vitin 2003 u ekstradua në Shqipëri, ku vuan dënimin.
(E.K/Faxweb.al)