Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po vazhdojnë qëndrimin në paraburgim në Hagë, ndaj të cilëve janë ngritur aktakuza për krime të pretenduara të luftës. Në ditët në vijim pritet të vazhdojnë konferencat mbi ecurinë e çështjes ndaj Thaçit dhe të tjerëve e njohës të punëve të drejtësisë konsiderojnë se gjykimi nuk do të nisë deri në vitin 2022, duke shtuar se sivjet priten arrestime të tjera. Ndërsa në Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së thonë se deri tani nga Specialja u ftuan mbi 200 persona.
Pesë vjet pasi ishte themeluar, Gjykata Speciale nisi arrestimet e para në Kosovë. Salih Mustafa, ish-shef i Inteligjencës në Forcën e Sigurisë së Kosovës, i njohur gjatë luftës si komandant Cali, ishte i arrestuari i parë nga hetuesit e Speciales, më 24 shtator të vitit të kaluar.
Një ditë më vonë, hetuesit e Speciales, bashkë me Policinë e EULEX-it nisën bastisje në selinë e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Pas një drame që u paraqit me numër të madh të policisë së EULEX-it, veteranë para zyrës së organizatës, e fare pak informata se çka po ndodh brenda, nën pranga doli kreu i kësaj organizate, Hysni Gucati. Disa orë më vonë, u arrestua edhe vartësi i tij, Nasim Haradinaj.
Pas arrestimit të krerëve të organizatës, Faton Klinaku nisi të ushtroi postin e kryetarit të OVL-UÇK.
“Mbi 200 persona të ftuar, qoftë dëshmitarë apo akuzuar, ka pasur thirrje po ashtu të personave që kanë qenë më herët dëshmitarë duke i provokuar apo shantazhuar mos iu kanë ardhur disa dosje, krejt kjo është bërë për të rënduar akuzën ndaj zotit Gucati dhe zotit Nasim Haradinaj. Për skandalet që u kanë ndodhur atyre në Hagë nuk duhet të përgjigjen krerët e organizatës së veteranëve sepse nuk është e paligjshme nëse ti e informon publikun për disa gjëra që ata i kanë bërë në bashkëpunim me Prokurorinë serbe për krime lufte”, thotë Klinaku.
Arrestimet ndodhën disa ditë pasi në zyrat e organizatës së veteranëve, një person i panjohur, kishte sjellë disa dosje që doli se kishin rrjedhur nga Gjykata Speciale. Për të njëjtat, krerët organizatës, treguan publikisht përmes konferencave për media. Kështu, ata u dërguan në paraburgim në Hagë për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
E dy muaj më vonë, ndaj tyre u konfirmuan edhe aktakuzat.
“Prokurorët në rastet e Gjykatës Speciale e kanë bërë një strategji e cila u është imponuar nga një varg veprimesh, aktivitetesh që janë ndërmarrë qoftë në raport me personat e akuzuar e më së shumti nga OVL-UCK. Nuk duhet harruar asnjëherë faktin që dosjet që janë publikuar nga OVL-UCK në njëfarë mënyre e kanë ulur integritetin, e kanë ulur besueshmërinë por edhe profesionalizmin e prokurorëve dhe gjyqtarëve në Gjykatën Speciale. Dhe Gjykata Speciale edhe sot nuk ka dhënë asnjë sqarim se si kanë rrjedhur këto informacione që në bazë të ligjit, mandatit të Gjykatës Speciale do të duhej të ishin të garantuara sa i përket sekretit”, thotë Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Bastisjet nuk u ndalën, hetuesit e Speciales në një mëngjes të hershëm kishin hyrë në shtëpinë e ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi.
Pasi i bastisen pronat, më 4 nëntor, ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, të cilit i ishte ngritur aktakuzë, e arrestuan dhe e dërguan në paraburgim në Hagë.
Një ditë më vonë u publikua edhe aktakuza e ngritur ndaj Hashim Thaçit, i cili po atë ditë dha dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës, ish-kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, dhe shefit të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.