Superylli i Bayern Munich, Robert Lewandowski, ka fituar çmimin e lojtarit më të mirë të sezonit në Bundesligë. Ka qenë një sezon i jashtëzakonshëm për polakun, njërin nga golashënuesit më të frikshëm të futbollit europian. Ai u bë lojtari i parë, që shënoi në 11 ndeshje radhazi të Bundesligës. Lewandowski ka shënuar kundër secilës prej skuadrave, që luajnë aktualisht në elitën e Gjermanisë. Pasi ka kapërcyer 33 gola në kampionat, këtë sezon, polaku shpallet “Këpuca e Artë” e Bundesligës për herë të katërt në pesë sezone.
Anësori i Borussia Dortmund, Jadon Sancho, është i dyti, ndërsa Kai Havertz i Bayer Leverkusen i treti. Kujtojmë se ky është një çmim i vendosur nga votat e tifozëve dhe ekspertët. Timo Werner, Amine Harit, Erling Haaland dhe Serge Gnabry ishin, gjithashtu, në garën për çmimin e më të merit të sezonit në Bundesligë, por Lewandowski mori 50 për qind të votave. Bayerni fitoi titullin e tetë radhazi dhe mund të bëjë “tripletë”, pasi vijon të garojë në Kupën e Gjermanisë dhe Champions. Ndërkohë, Lewandowski ka qenë ndoshta në formën më të mirë të karrierës. Ai deklaroi në fillim të këtij muaji se ende nuk e ka arritur kulmin, edhe pse në moshën 31-vjeçare:
“Unë nuk jam ende në periudhën më të mirë të karrierës. Së shpejti do të jem. Por, të gjithë këto janë thjesht numra. Jam i sigurt se momenti më i mirë i karrierës sime do të vijë shpejt. E di që kjo nuk është kontrata ime e fundit. Dua të luaj më gjatë dhe të qëndroj në top-formë. Kam gjithë kohën para që të mendoj për të ardhmen, por ndihem vërtet mirë. Unë do të festoj ditëlindjen e 32-të në gushtin e ardhshëm, por kjo nuk do të thotë se ndjehem në këtë moshë. Ajo që dua nuk është vetëm të qëndroj në krye për dy ose tri vitet e ardhshme, po shoh në një plan më afatgjatë. Nuk mendoj për “Topin e Artë”, edhe pse në jetën time besoj se çdo gjë është e mundur”.