Sindikata Amerikane AFL-CIO ka shprehur mbështetje për naftëtarët e Ballshit, të cilët prej disa muajsh protestojnë për pagat e pamarra dhe për rifillimin e punës. Në një letër drejtuar kryeministrit Rama, thuhet se mbështesin 900 naftëtarët dhe Sindikata e Naftëtarëve në Shqipëri është angazhuar në dialog me zyrën e kryeministrisë, të ministrisë së Energjisë dhe Financave në mënyrë që të jepen pagat e punonjësve.
“Në emër të dymbëdhjetë milionë e gjysmë anëtarëve të Federatës Amerikane të Kongresit të Punës së Organizatave Industriale, unë ju shkruaj për të shprehur mbështetjen tonë për 900 anëtarët e federatës Sindikatës së naftëtarëve të Shqipërisë të cilëve u detyrohen muaj të tërë paga të papaguara në Rafinerinë e Ballshit.
Çështja e pagave të papaguara filloi që në Nëntor 2018 deri në Shtator të vitit 2020 dhe Rafineria e naftës thuhet se u detyrohet të paktën 10 muaj paga këtyre punonjësve. Në vitet e fundit, TUFIWA është angazhuar në dialog me menaxhimin e rafinerisë, zyrën tuaj dhe Ministritë e Energjisë dhe Financave ndërsa punëtorët kanë protestuar paqësisht në një përpjekje për të marrë pagat e tyre.
Këta anëtarë të sindikatës janë të angazhuar në një punë thelbësore që mbështet nevojat e energjisë për shqiptarët dhe meritojnë të kompensohen në mënyrë të drejtë. Unë kërkoj që zyra juaj të vazhdojë të angazhohet me menaxhimin e rafinerisë dhe TUFIWA që të gjendet një zgjidhje e shpejtë që do të sigurojë që të jepen të gjitha pagat që u detyrohen këtyre punëtorëve”, shkruhet në letër.
Prej ditësh, po mbahet grevë urie brenda uzinës, ku më parë ishin naftëtarët meshkuj ndërsa ditët e fundit janë zëvendësuar nga gratë pasi kanë shfaqur probleme me gjendjen e tyre shëndetësore. (A.M/Faxweb.al)