Ditën e sotme u raportuar se Spitali Hygeja në Tiranë është kthyer në një vatër infeksioni sa i takon Covid 19. Burime bëjnë me dije për Fax News, se në mesin e të prekurve janë infermierë dhe staf mbështetës, të cilët iu përkasin kryesisht moshave të reja.
Lidhur me këtë Drejtori Mjekësor i Spitalit Hygeja, Lonard Solis ka dhënë një intervistë për gazetaren e Fax News, Ema Shazivari teksa ka sqaruar se si qëndron e vërteta me infektimet në këtë spital.
Ai tha se Hygeja është një spital i sigurt teksa ka radhitur edhe protokollin e masave që ndiqen por edhe lehtësirat që janë krijuar me lejimin e testimeve në spitalet private.
Solis ka pohuar se ky spital nuk ka konstatuar raste infeksionesh brenda reparteve të tij, ndërsa shtoi se dhe në rastet kur pjesë e stafit mjekësor janë infektuar në familjet e tyre apo në aktivitetin e tyre privat, janë kontrolluar në detaje duke argumentuar se faqja e parë e çdo kartele pacienti është përgjigja negative për testin.
“Kemi të certifikuar gjendjen e secilit nga personeli në spitalin tonë. Të gjithë pacientët që shtrohen në spitalin tonë faqja e parë e kartelës është testi negativ për Covid-19. Gjithçka nis me kryerjen e testit. Ne ndjekim rregullat, për personelin, sallat e operacionit. Herë pas herë kur infektohen në shtëpi apo në jetën jashtë spitalit, kontrollohet rreptësisht.
Ne kemi kënaqësi që e kryejmë tashmë tamponin vetë, testin serologjik po ashtu. Ju kemi shërbyer popullit me devotshmëri edhe për personat që nuk kanë mundur të marrin shërbim diku tjetër. Kemi bërë diagnostikimin dhe me 127 i kemi nisur aty ku duhet. Me sistemin ambulator dhe për pjesën e urgjencës”.
Soli ka komentuar edhe situatën me Covid në vend ku tha se është mjaft e vështirë dhe sugjeron që përveç testimeve në spitalet private ti jepet rëndësi mjekut të familjes si dhe të rajonalizohet procesi i gjurmimit dhe trajtimit të pacientëve në vend.
“Shifrat po përshpejtohen do thosha se është në rënie të lirë. Përveç shtimit të testimeve do ju bëj thirrje njerëzve për kujdesin dhe zbatimin e masave. Kujdesi në dasma, kujdesi në vdekje. Kjo është një digë që është çarë dhe detyra jonë është që ujin ta m,brojmë vazhdimisht. Në Kosovë është edhe më lart deri në përmbytje. Mjekët po punojnë si heronj por të tregohet kujdes që të mos shkojmë në përmbytje. Ministria e Shëndetësisë ta decentralizojë këtë problem. Ndërkohë që janë hapur portat për testimet në spitalet private, do doja edhe rajonizimin e këtij problemi, Korça do doja ta menaxhonte vetë situatën në qarkun e vetë, Shkodra po ashtu. Edhe mjeku i familjes të paktën për këshilla. Në 20 veta 18-19 e kalojnë në shtëpi.
Është lajm i mirë edhe për popullin edhe për spitalin kryerja e testeve në privat. Ne e testojmë pacientin dhe e largojmë nëse del pozitiv, . Këtu kryhen edhe lindje, që gruaja të jetë e sigurt. Ne bëjmë testimin e çdo pacienti dhe stafi. Është një vend i sigurt dhe një kontroll në dinamikë”, tha Solis.
(F.GJ/FAXWEB.AL)