Deputeti i opozitës, Lefter Maliqi ishte i ftuar në emisionin “Me Xhaxhiun” në Fax News ku foli me detaje për shkarkimin e Lleshajt duke thënë se ka kërkuar interpelancë ndaj tij në seancën e radhës parlamentare, por shpreson që të jetë i pranishëm. Sipas tij, ndërhyrjet që ka nuk do e largojnë nga Kuvendi ndonëse Rama ka vendosur shkarkimin e tij.
“Shpresoj që Lleshaj të jetë deri të enjten dhe besoj që do të jetë për shkak të ndërhyrjeve që ka, por zërat thonë që ka kohë që Rama ka tentuar ta shkarkojë ose defakto është i shkarkuar për shkak se nuk ka fuqi ekzekutive brenda Ministrisë së Rendit, brenda qarkut të Lezhës, brenda forcës politike së tij. Po heqin njerëzit e tij. Nuk e dëgjon Drejtori i Përgjithshëm, nuk e dëgjon Sekretari i Përgjithshëm, as Rama, as pushteti lokal i PS në Lezhë.
Më vjen keq për Lleshajn, prisja që të ishte dhe të mbante anën ligjore dhe Kushtetuese meqë vjen nga jeta ushtarake, por u përdor politikisht nga Rama që e përdori kundër opozitës, kundër medias, kundër gazetarëve, kundër shoqërisë civile, kundër studentëve. Përdori policinë politikisht, shembi Teatrin me forcat e RENEA-s, e shtrydhi dhe po e hedh në rrugë. Të njëjtën gjë sic i bëri Tahirit por Tahiri ka qenë më korrekt në raport me policinë, por u përdor për drogë me urdhër gojor.
Ministri më i dobët i të gjitha kohërave të Rendit për shkak se është keqpërdorur politikisht nga Rama. Nuk është ai që Lleshaj që u paraqit ministër rendi. Tani i ka thirrur mendjes, por është shumë vonë se krimi i ka dalë nga duart, kemi një panik, rritje të krimit, të drogë, kemi dalje nga shinat të policisë së shtetit, e futën në kurth dhe për BMW-në e tij të famshme”, tha Maliqi.
Ndër të tjera theksoi se emri që po lobon fuqishëm për Lleshajn është shkrimtari i njohur Ismail Kadare, i cili është mik i mirë i kryeministrit. Sipas Maliqit, përcarja mes Ramës dhe Lleshaj nisi në një mbledhje në muajin Mars, ndërsa ndërhyrja e Kadaresë e mban ende në krye të detyrës ndonëse deputeti thotë se Ministri i Brendshëm është keqpërdorur nga kryeministri.
“Nga përvoja ime, që të jesh një ushtarak, aq më shumë drejtues policie me gradën major në moshën 25 vjec dhe drejtues e pedagog në ministrinë e brendshme prej 8 vitesh në periudhën më të vështirë do të thotë që jesh aq i aftë sa të marrësh informacione brenda selisë rozë, brenda qeverisë, krimit dhe forcave të tjera që Lleshaj ka që në Mars në një debat me Ramën, i cili e ka nxjerrë jashtë dhe nuk e ka vendosur drejtues të Këshillit Drejtues të Autoritetit Civil. Lleshaj i ka thënë po dola nga kjo derë, nuk kthehem më. Rama, me ndërhyrjen e mikut të tij të përbashkët, Kadare po vazhdon ta mbajë në detyrë”, tha Maliqi.(A.M/Faxweb.al)