Disa qytetarë kanë ngritur zërin këtë të premte kundër vrasjes së qenve. Ata u mblodhën para Bashkisë së Tiranës për t’i bërë thirrje Erion Veliajt që të ndalë këtë masakër, sipas tyre, që po ju bëhet kafshëve.
Protestuesit mbanin në duar pankarta me mbishkrime “Mos vrit”, “Adopto”, etj., ndërsa pati edhe thirrje e ovacione “Stop vrasjes”. Midis protestuesve ishte edhe Sazan Guri, i cili paralajmëroi Veliajn se do të shkojë deri në gjykatë për këtë çështje.
“Ky kryebashkiak sa nuk është vonë duhet të heqë dorë nga kjo mënyrë sjelljeje. Me acid i ka mbytur këta kafshë që kanë vetëm një faj, jetojnë në këto kohë. Ne do të ndjekim rrugët tona ligjore”, tha Sazan Guri.
Ndërsa një protestuese tjetër “shpërtheu” ndaj Erion Veliajt duke i thënë që të vrasë veten, në vend të kafshëve. “Jeta normale mbrohet me ligj. Edhe jeta e kafshëve duhet të mbrohet. Jam kundër vrasjes së qenve endacake. Bashkia nuk duhet të vrasë kafshët.
Por t’i mbrojë me gjithë ato fonde që merr. Këto qen duhet të ushqehen siç e ka gjithë bota. Hapni strehë se i ushqejmë vetë, jemi vullnetarë. Na premtoi, na mashtroi. Ai të shkojë të vrasë veten, këtë të bëjë ai”, u shpreh një prej protestueseve.
(M. I./ Faxweb.al)