Ish-lojtari i Tiranës, Rezart Dabulla për emisionin ‘Fax Sport’ në Fax News foli për largimin e trajnerit Nevil Dede këtë të hënë para ndeshjes me Laçin. Sipas Dabullas duhet të merreshin parasysh mendimet e trajnerit Dede pasi ai e di më mirë nga të gjithë klubi se kush duhet të luajë në fushë.
“Nuk do të thoja që është braktisje nga trajneri Dede, por më tepër se i shtyrë për tu larguar.Me ato informacione që kemi marrë nga media është që ka pasur një mosrakordim ose një mosdakortësi se kush do të luajë. Trajneri ka pas idetë e veta, presidenti s’ka qenë dakort me idetë e trajnerit ka dashur të luajë dikush tjetër. Dede e ka parë që ka qenë i tepërt.
Sepse kur nuk merren parasysh mendimet e trajnerit se kush do të luajë, se kur trajneri i di shumë më mirë se e gjithë pjesa tjetër e stafit, e klubit se kush lojtarë do të luajë dhe kush lojtarë është në gjendje të luajë për ndeshjet specifike e ka parë të arsyeshme që të lirojë rrugën dhe këtë ka bërë”- u shpreh ish-lojtari i Tiranës Dabulla.
Ish-lojtari Dabulla e ka cilësuar një dëm shumë të madh largimin e trajnerit Dede si dhe për imazhin e klubit. Sipas tij nuk ishte koha e duhur për t’u marrë një vendim i tillë nga presidenti para ndeshjes.
“Unë them që do ta vuajë Tirana këtë largim dhe këtë mënyrë të largimit të trajnerit. Një dëm jashtëzakonisht shumë të madh imazhit të klubit dhe sigurisht edhe synimeve që ka klub.
Domethënë nuk mund të sillesh kështu me një trajner, pavarësisht nëse trajneri ka pasur të drejtë apo jo këtë mund ta zgjidhësh në një mënyrë tjetër dhe në një kohë tjetër.
Para ndeshjes nuk mund të merren këto vendime sepse ndikon në rezultatin e ndeshjes siç ndikoi.Rezultati i ndeshjes ishte në disfavor të Tiranës, humbi edhe këtë ndeshje me lojtarin që donte presidenti në fushë”- tha Dabulla.