Një lajm i mirë ka ardhur mbrëmjen e djeshme nga lufta kundër koronavirusit në Shqipëri, ku janë shëruar edhe 8 pacientë të tjerë nga COVID-19, të cilët priten të lejnë karantinën spitalore.
Lajmin e ka dhënë kryeministri Rama, përmes një postimi në Facebook, ndërsa totali i personave të shëruar në vendin tonë shkon në 52.
Të gjithë këta persona tashmë do të qendrojnë dhe për 14 ditë të tjera të izoluar në banesat e tyre, duke mos pasur kontakt me persona të tjerë.
Ndërkohë që mbrëmë u shënua dhe viktima e 12-të si pasojë e koronavirusit në vendin tonë, ku ndërroi jetë në spitalin Infektiv pacientja 82-vjeçare L. M., nga Tirana, e konfirmuar me COVID-19.
E moshuara po trajtohej prej 5 ditësh në spitalin infektiv, ndërsa në dy ditët e fundit gjendja e 82-vjeçares u rëndua së tepërmi dhe pavarësisht përpjekjes së stafit mjekësor, nuk arriti të mbijetojë.
82-vjeçarja që vuante nga disa sëmundje bashkëshoqëruese: Astma Bronkiale, Hipertension, Podagra (sëmundje reumatismale) është viktima e 12 e COVID-19 në Shqipëri.
(E.K/Faxweb.al)