Kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi ka publikuar në facebookun e saj lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta të studiuesit të njohur shkodran Eduart Grishaj.
Teksa rendit cilësitë e shumta të studiuesit, Ademi i shpreh ngushëllimet të afërmve dhe familjarëve të të ndjerit, i cili u nda në mënyrë të parakohshme nga jeta mbrëmjen e sotme.
Postimi i plotë: Një lajm shumë i trishtë sonte! Një koleg dhe mik sot u nda nga jeta në një aksident të rëndë.
Eduart Grishaj, një intelektual, me kontribut për kujtesën, kulturën dhe artin në Shkodër, do ti mungojë familjes, miqve e Shkodrës
Largimi i papritur dhe shumë i parakohshëm nga jeta, na ka hidhëruar të gjithëve.
Ngushëllime familjes, të afërmëve. Pushofsh në paqe Edi !
Kujtojmë se aksidenti tragjik ndodhi rreth orës 20:00 të mbrëmjes së sotme, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Dajçit”, në aksin rrugor Lezhë-Shkodër, ku si pasojë e përplasjes së një kamioni me një automjet tip Benz mbeti i vdekur në vend drejtuesi i autoveturës, studiuesi i njohur Eduart Grishaj.
Nuk dihen ende shkaqet e aksidentit, ndërkohë që drejtuesi i kamionit shtetasi T.M.,është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Lezhë për veprime të mëtejshme hetimore.