Detaje të reja dalin në dritë nga zhdukja e biznesmenit italian Davide Pecorelli. Mediat kanë bërë publike mesazhin e fundit që ai i ka shkruar një mikut të tij, ku e ka njoftuar se kishte prenotuar biletën e kthimit në Itali në datën 10 Janar, katër ditë pasi u bë zhdukja e tij në zonën e Pukës.
Ai i tregon mikut të tij se ka hapur një show room në një qendër tregtare, po shton se deri në datën 6 Janar në Shqipëri situata dhe klima nuk është e mirë, por pa e specifikuar se për çfarë e ka fjalën.
”Kam hapur show room në një qendër tregtare, deri në datën 6 këtu është luftë. Kam prenotuar datën e kthimit në 10 Janar”, mësohet të ketë shkruar në mesazhin e tij Pecorelli.
Ndërkohë javën e ardhshme në Tiranë pritet që të vijnë dhe hetues italianë, që do të mbledhin informacione për zhdukjen e mistershme të Pecorellit.
Pecorelli raportohet i zhdukur në datën 6 Janar në zonën e Pukës, pasi makina me të cilën ai udhëtonte u gjet e djegur, ndërkohë që brenda saj u konstatuan një ditë më pas dhe mbetje të eshtrave, të cilat ende nuk janë analizuar se kujt i përkasin, pasi kërkojnë një laborator specifik.
Autoritete policore shqiptare kanë marrë në pyetje Partneren e Davide Pecorelli, të cilët po hetojnë zhdukjen e biznesmenit italian ditët e fundit në vendin tonë.
Nga mediat italiane raportohet se partnerja e biznesmenit italian ka qëndruar për rreth 6 orë pranë komisariatit të policisë, ku iu është përgjigjur pyetjeve të autoriteteve, përpara se të rikthehej në Itali. Ishte pikërisht partnerja shqiptare e biznesmenit italian, me të cilin ka edhe një fëmijë të vogël, që dha alarmin për zhdukjen e tij.
Nga informacionet, bëhet e ditur se shqiptarja ka shitur bizneset e italianit në momentin pasi u komunikoi lajmin për zhdukjen e partnerit të saj punonjësve të parukierive. Pronari i ri u premtoi duzinës së personave të punësuar se do të forconte kompaninë dhe do të tejkalonin momentin ‘delikat’. Të gjitha aktivitetet e Pecorellit, përveç hotelit, janë në emër të shqiptares.
Ndërkohë, hetuesit po studiojnë lëvizjet e Pecorellit, mbi të gjitha për të kuptuar përse ndodhej i vetëm në atë hotel me maleve, pranë kufirit me Kosovën. 45-vjeçari mbërriti në Pukë më 4 Janar, rreth orës 21:30, që është edhe momenti kur shkoi në hotel. U largua më 5 Janar, ndërsa më datë 6 nuk u rikthye. Personeli i hotelit thotë se gjatë qëndrimit në hotel ai fjeti gjumë dhe mëngjesin e 5 Janarit piu një kafe.
Davide Pecorelli humbi çdo kontakt me familjarët më 6 Janar. Automjeti që kishte marrë me qira në aeroportin e Rinasit u gjet i djegur pranë fshatit Gjegjan të Pukës.
Përveç sendeve të tij personale, autoritetet gjetën në mjetin tip “Skoda” edhe pjesë kockore të një njeriu, të cilat pritet që të përcaktohet nëpërmjet analizës së ADN-së nëse i përkasin ose jo 45-vjeçarit , pasi ora dhe celulari, gjithashtu të gjetur në mjet janë të tij. (E.K/Faxweb.al)