Futet në lojë në minutën 66, rrëmben topin disa minuta më vonë, kalon i vetëm shumë lojtarë të Hungarisë dhe tund rrjetën në stadiumin ‘Puskas Arena’.
Ky është Armando Broja, 20 vjeçari shumë i talentuar shqiptar, i cili ka ‘çuar peshë’ zemrat e të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen, të cilët po ndjekin mbrëmjen e sotme ndeshjen tepër të rëndësishme të Kombëtares në kuadër të Katar 2022.
Goli mund te quhet pa frikë një nga më të bukurit që janë shënuar nga kombëtarja jonë. Armando Broja merr topin shumë larg portës, kalon një lojtar hungarez në mënyrë të shkëlqyer, futet mes disa të tjerëve teksa i afrohet portës dhe godet fort drejt saj duke mos i lënë mundësi portierit kundërshtar të bëjë gjë.
Ky gol perkthehet ne tre pikë shumë të çmuara për kuqezinjtë, që tashmë kanë arsye të vërtetë për të shpresuar realisht se mund të kualifikohen për herë të parë në Kupën e Botës.
Me këtë rezultat, Shqipëria renditet e dyta në grupin I, një pikë më shumë se Polonia, me të cilën ndeshemi të martën në Air Albania, ku kuqezinjtë do të japin shpirtin në fushë për t’iu afruar më tej ëndrrës së madhe për të shkruar historinë.
Po kush është Armando Broja
20 vjeçari shtatlartë është një sulmues i talentuar në pronësi të skuadrës kampione të Europës, Çelsit. Ai momentalisht është huazuar te Southampton për të pasur më shumë hapësira, me Blutë e Londrës të cilët shpresojnë në rritjen e mëtejshme të shqiptarit të talentuar dhe aktivizimin ne te ardhmen me fanellën blu. Ishte pikërisht djaloshi i Çelsit ai që edhe në ndeshjen në Shqipëri kundër Hungarisë arriti të shënonte pasi u fut në lojë pjesën e dytë, duke i dhuruar 3 pikë tepër të rëndësishme kuqezinjve. Një talent i tillë, luan apo jo nga minuta e parë, di të jetë mjaft mirë protagonist dhe ta mendosh që është vetëm 20 vjeç.
(E.H/Faxweb.al)