Gjykata e Tiranës ka vendosur të dënojë me burg të përjetshëm Dashamir Xhepën, i cili akuzohet se vrau kunatën për motive xhelozie.
Lirie Xhepa u gjet e vrarë pranë Liqenit të Sharrës në shkurt të vitit 2019. Vitin e kaluar, Xhepa e pranoi autorësinë, ndërsa u shpreh se motiv ka qenë një konflikt për prona si dhe dyshimet për lidhje intime me persona të tjerë që mund të kishte kunata e tij.
Ndryshe nga sa u tha fillimisht Dashamir Xhepa mohoi në mënyrë kategorike se ka pasur lidhje me kunatën e tij.
Si ndodhi ngjarja:
Vrasja e 49- vjeçares Lirie Xhepa, në formën siç e rrëfyen në Polici dhjetëra dëshmitarë, duket si një krim i paralajmëruar.
Ndonëse ajo nuk e kishte adresuar asnjëherë në Polici dhunën dhe kërcënimet që kishte marrë nga kunati i saj Dashamir Xhepa, me të cilin, sipas të gjitha të dhënave kishte një lidhje intime, duket se vazhdimisht ka jetuar me frikë.
E frikësuar nga vëllai i burrit të saj të ndjerë, që vazhdimisht kishte ushtruar dhunë ndaj saj, por edhe nga djemtë e vet se mos e merrnin vesh lidhjen e fshehtë.
Madje ,ajo ishte ankuar dy herë te një punonjës Policie, duke i thënë se donte t’i jepte fund kësaj lidhjeje, pasi dhunohej sistematikisht nga kunati.
Megjithatë, viktima nuk kishte pranuar që të bënte kallëzim kundër tij, edhe nga frika e ndonjë hakmarrjeje të mundshme, por edhe nga turpi. Banorët e zonës ku ndodhi ngjarja, janë shprehur se të gjithë ishin në dijeni të lidhjes intime. Madje, edhe të dhunës së vazhdueshme që ushtrohej ndaj 49-vjeçares, por askush nuk fliste.
Më parë, Fax News zbardhi dëshminë e 25-vjecarit Marjus Xhepa në seancën gjyqësòre, i cili u thirr si dëshmitar për vrasjen e nënës së tij Lirie Xhepa më 13 Shkurt 2019. Marjus Xhepa nga banka e dëshmitarit ka kërcënuar të pandehurin, Dashamir Xhepa, xhaxhain e tij, në lidhje me vrasjen e së ëmës. Në rrëfimin si dëshmitar, ka theksuar se shpresonte se po u dënua do shpëtonte, ndërsa e do jashtë.
“Marrëdhëniet me xhaxhain kanë qenë shumë të këqija, ai është zënë me të gjithë njerëzit e shtëpisë. Unë personalisht kisha shtatë vite që nuk flisja me të, edhe me nënën time nuk ka folur fare. Në fillim Dashamir Xhepa zihej me të gjithë. Që nga vdekja e babait tim në vitin 2006 marrëdhënia ka qenë shumë e tensionuar me të.
Ai e shqetësonte nënën time, ndërsa ka marrë edhe një urdhër mbrojtje pasi vinte në shtëpi dhe zihej me të gjithë, kërkonte para. Nëna ime ka kërkuar urdhër mbrojtje pasi shkonte e shqetësonte edhe kur unë nuk isha në shtëpi, i shkonte prapa e ruante dhe i kërkonte para. Jam zënë me atë dhe prap pasi kalonte një javë ishte i njëjti muhabet. Nënën time e çoja vetë në punë pasi ai e shqetësonte gjithë kohës. Donte lekë, nuk e di sa i kërkonte por ai ishte pa punë. Kur e ka vrarë në ditën e ngjarjes i ka marrë 500 euro në çantë, e cila sot e kësaj dite nuk është gjetur.
Atë ditë e kam dërguar në punë në mëngjes nënën time, ndërsa pashë xhaxhain tim që u fsheh pas një makine. Kam lënë nënën tek fabrika e këpucëve ku punonte dhe jam larguar për në Fier pasi kisha vëllain në burg atje. Jam kthyer nga Fieri në orën 21:00, nuk e gjeta nënën time aty, gjeta vetëm vëllain tim të vogël, Romeon. E pyeta dhe më tha që nëna ishte kthyer nga puna por kishte dalë dhe kishte ikur poshtë (në Kombinat). Kam pritur zgjuar deri në orën 23:00, isha shumë i lodhur, dhe më ka zënën gjumi.
Në mëngjes erdhi policia te shtëpia, e cila më ka zgjuar. Ata kishin gjetur nënën time të vdekur. Trupin e pajetë e kishin parë fillimisht njerëzit e zonës në një distancë 300-400 metër nga banesa, të cilët kanë thirrur policinë. Isha te vendi i ngjarjes, ndërsa policia më ka thirrur për të identifikuar trupin. Dashamir Xhepa më ka thënë para shtatë viteve që do më vriste nënën, por unë i thoja që të merrej me mua. Pas ngjarjes Dashamirin nuk e kam parë fare, ishte zhdukur, nuk ishte në ceremoninë e varrimit. Jam parë për herë të fundit me të në gjykatë. Ai po u dënua me burg shpëton, unë e dua jashtë atë. Dashamir Xhepa më ka vrarë nënën. Unë nuk e di a ka patur njeri tjetër kur ka ndodhur vrasja dhe nëse e ka parë dikush atë. Ju më kuptoni, unë po dridhem i tëri (i tensionuar). Atë që ka bërë ai (xhaxhai) e bënë një legen. Legen pasi nuk u mor me mua, por u mor me një femër. Përveç konfliktit të lekëve nuk ka patur shkaqe të tjera për ta vrarë nënën time, nuk është e vërtet që ka patur çështje simpatie apo lidhje sentimentale.”