Policia e Durrësit ka dhënë informacion shtesë në lidhje me sasinë e madhe të kokainës që u kap dje në port, ku pas peshimit rezultoi të ishte një sasi më e madhe nga sa u raportua fillimisht. Mësohet se pesha totale e kokainës së gjetur brenda një kamioni që ishte nisur nga Maqedonia është 324 kilogramë e 400 gramë.
“Në vijim të informacionit të dhënë për sekuestrimin e rreth 300 kg lëndë narkotike në Port, Durrës, pas përfundimit të peshimit të kryer nga grupi hetimor rezultoi që pesha totale është 324 kilogramë e 400 gramë”, njofton zyrtarisht policia e Durrësit.
Faxweb.al mësoi dje dhe emrin e shoferit të arrestuar nga policia, i cili është Nazif Ajroski, 40-vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut.
Burime bëjnë me dije se kamioni ka hyrë nga pika kufitare e Qafë Thanës dhe sot do të nisej për në Itali, ku destinacionin kishte Napolin.
Kamioni ka qenë i ngarkuar me hekur dhe kokaina ishte e fshehur në sarbatorin e mjetit.
Në bazë të dyshimeve të krijuara nga skaneri autoritetet e futën kamionin për kontroll të detajuar në vijën e dytë, ku u konsistua edhe lënda narkotike e ndara në pako të vogla me logo “Dior”, “Chicago Bulls” dhe logon e ekipit të futbollit të PSG-së.
Policia dhe grupi hetimor po vijon punë për identifikimin dhe kapjen e anëtarëve të tjerë të grupit kriminal.
Burime thanë dje se në Qafë Thanë mjeti ka kaluar në skaner ku ka rezultuar i pastër, dhe dyshimet janë se kokaina është ngarkuar në territorin shqiptar.
(E.K/Faxweb.al)