Ka ndërruar jetë mbrëmjen e djeshme si pasojë e Covid 19 mjeku pneumolog Anibal Byberi.
Mësohet se Byberi ka shkuar dje në spitalin “Shefqet Ndroqi”, në gjendje të rëndë dhe është vendosur në intubim menjëherë, por fatkeqësisht nuk ka mundur të mbijetoj.
Byberi ka qenë mjek në Tropojë, ka mbajtur dhe postin e drejtorit të spitalit të Tropojës, duke iu shërbyer qindra qytetarëve.
Nuk bëhet e ditur se prej sa ditësh mjeku ishte prekur nga Covid 19, dhe se pse shtrimi i tij në spital ka ardhur vetëm dje, kur gjendja ishte përkeqësuar ndjeshëm.
Byberi është mjeku i tretë që humb jetën si pasojë e Covid 19 në vendin tonë, që prej fillimit të pandemisë në muajin Mars.
Më herët ka ndërruar jetë në moshën 58-vjeccare mjeku Arjan Pushi, i cili shërbente në repartin e hematologjisë në QSUT, nga ky dyshohet të ketë marrë edhe infeksionin.
Po ashtu betejën me Covid 19 nuk e ka fituar as mjeku Hysni Shkjau, 69-vjeçar, me 40 vite eksperiencë, i cili nuk e kishte ndërprerë asnjëherë punën dhe vijonte të shërbente si mjek familje në qendrën shëndetësore Qafë-Mali në Bashkinë Fushë-Arrëz të Pukës.
(E.K/Faxweb.al)