Situata e Covid 19 në vendin tonë vijon që të mbetet serioze ku në 24 orët e fundit kanë ndërruar jetë 3 qytetarë, një 52 vjecar nga Tirana, një 57 vjeçar nga Kukësi dhe një 59-vjecar nga Korca.
Po gjatë këtyre orëve janë kryer 431 testime dhe kanë dalë pozitivë 55 persona dhe janë shëruar 77 qytetarë. Vihet re një rënie e numrit të të infektuarve pasi një ditë më parë dolën pozitivë 99 persona.
Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 39 raste në Tiranë, 4 në Vlorë, 3 në Kukës, nga 2 raste në Durrës, Krujë, Kavajë, nga 1 rast në Shkodër, Elbasan, Kamëz.
Situata paraqitet serioze në spitalin infektiv, ku në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 3 qytetarë, të cilët po trajtoheshin në terapi intensive, të intubuar. Aktualisht në dy spitalet Covid, në spitalin infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 106 pacientë, 9 pacientë janë në terapi intensive dhe 1 prej tyre është i intubuar.
Numri i të shëruarve në 24 orët e fundit është më i lartë se numri i të identifikuarve pozitive me Covid19. Janë shëruar 77 qytetarë, duke e çuar në 2214 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë aktualisht janë 1585 persona aktivë me Covid19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës.