Fax News mëson se dy specializante tek Spitali Francez në Tiranë kanë rezultuar pozitiv me Covid-19. Tamponët e tyre ishin marrë dy ditë më parë përgjigjia e të cilëve ditën e djeshme ka dalë pozitive.
Nuk dihet ende origjina e marrjes së infeksionit, ndërkohë që së fundmi rasti i marrjes së virusit nëpër ambjentet spitalore është kthyer në një shqetësim real dhe të madh. Spitali Francez në QSUT mbulon 3 specialitete si ORL, Okulistika, dhe Oro-Maxillo-Facial.
Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë testuar 362 persona, nga të cilat kanë rezultuar 57 pozitiv me Covid 19. Numrin më të madh me raste të reja e ka pasur Kruja, dhe pas saj Tirana, Vlora dhe Shkodra. Një lajm i mirë është se nuk ka rritje të numrit të personave të shtruar në spital, pavarësisht shtimit të rasteve të reja.
Nisur nga fakti se po zbulohen raste pozitive në disa ndërmarrje, subjekte tregtare apo institucione të ndryshme publike dhe private, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale rekomandon bizneset, institucionet, kompanitë, kudo ku është e mundur puna nga shtëpia, të nxisin këtë mënyrë alternative për të frenuar përhapjen e Covid19.
(F.GJ/FAXWEB.AL)