Pfizer dhe Biontech kanë rënë dakord me OBSH-në për të furnizuar me vaksina mekanizmin COVAX, në mënyrë që dhe vendet e treta të kenë akses ndaj vaksinës. Nga kjo marrëveshje që është arritur pritet të përfitojë edhe Shqipëria, e cila ka parapaguar rreth 4 milionë euro te Covax për të përfituar vaksinën.
Ende nuk është e qartë se çfarë sasie të vaksinave do të marrë programi COVAX nga Pfizer/BioNTech, por pritet që numri i dozave të jetë i vogël. Një burim i tha ‘Reuters’ se dozat e para të vaksinës do t’iu jepen shteteve, që janë pjesë e COVAX-it, për të vaksinuar punëtorët e tyre shëndetësorë.
Kompania BioNTech nuk ka dashur të komentojë për këtë marrëveshje, ndërkaq Pfizer nuk i është përgjigjur pyetjeve për këtë çështje. Përgjigje nuk kanë dhënë as nga OBSH-ja dhe aleanca për vaksina, GAVI.
Këshilltari i lartë i OBSH-së, Bruce Aylëard, të hënën deklaroi se COVAX-i ishte në “diskutime mjaft të detajuara” me Pfizerin dhe tha se pret që kjo kompani ta furnizojë me vaksina COVAX-in “shumë shpejt”.
Vaksinat nga programi COVAX pritet të shpërndahen për vendet e varfra dhe ato me të ardhura të ulëta në muajin shkurt.
Të enjten, COVAX tha se planifikon që të shpërndajë rreth 1.8 miliard doza më 2021 në 92 shtete, duke mbuluar nevojat për vaksinim të 27 për qind të popullatës të këtyre shteteve. (E.K/Faxweb.al)