Policia e Kukësit ka dhënë detaje lidhur me operacionin e ditës së djeshme, i cili rezultoi i dështuar për kapjen e ish-kreut të qarkut të Kukësit Abedin Oruçi.
Policia thotë se kishte informacione se Oruçi ndodhej në lokalin në pronësi të tij, por në momentin që efektivët ishin nisur që ta arrestonin, ata u penguan nga të afërm të Oruçit, ndërsa ky i fundit kanosi me armë punonjësit e Policisë së Shtetit.
Policia njofton se për pengimin e aksionit janë arrestuar 6 persona, të afërm të Oruçit, ndërkohë që është shpallur në kërkim vetë ai dhe një tjetër person. Po ashtu janë proceduar në gjendje të lirë dhe disa persona të tjerë.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Efektivët e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, në zbatim të planit operacional për kapjen e shtetasit në kërkim Abedin Oruçi, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, ditën e djeshme kanë organizuar punën dhe shkuar në ambientin e lokalit në pronësi të tij.
Në momentin që punonjësit e Policisë kanë hyrë brenda ambientit, persona të afërm të këtij shtetasi janë konfrontuar fizikisht me punonjësit e Policisë.
Shtetasi Abedin Oruçi, duke përfituar nga ky fakt dhe duke i kanosur me armë zjarri punonjësit e Policisë, ka mundur të largohet. Në përfundim të veprimeve procedurale në lidhje me ketë ngjarje, u arrestuan në flagrancë të shtetasit:
E. O., 32 vjeç, G. O., 34 vjeç, B. M., 35 vjeç, E. M., 18 vjeç, Z. Sh., 19 vjeç dhe B. D., 48 vjeç, banues në Kukës, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” kryer në bashkëpunim dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
U proceduan në gjendje të lirë, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, shtetasit:
R. S., 22 vjeç, A. S., 18 vjeç, G. O., 50 vjeç, I. O., 28 vjeç dhe R. S., 21 vjeç, banues në fshatin Mamez dhe në Kukës. Gjithashtu, janë shpallur në kërkim policor shtetasit Abedin Oruçi, 54 vjeç dhe P. O., 46 vjeç, banues në Kukës. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.
(E.K/Faxweb.al)