Zëdhënësi i presidentit, Tedi Blushi, ka reaguar pas vendimit të Kuvendit për të futur në rendin e ditës shkarkimin e Ilir Metës. Blushi kërkon që të numërohet dhe rinumërohet çdo votë, dhe se të gjitha kutitë duhet të hapen, në mënyrë që të shihet vullneti i vërtetë i zgjedhësve.
Tedi Blushi:
Zero vëmendje ndaj Parlamentit me Zero opozitë. Ndryshimi është brenda në kuti. Hapni kutitë! Numëroni dhe rinumëroni me transparencë çdo votë sipas Kodit Zgjedhor.
Çdo shkelje dhe manipulim të evidentohet me qetësi deri në fund të procesit! Shqiptarëve nuk mund t’ju grabitet kurrësesi vota dhe vullneti i shprehur përmes saj.
Ky reagim i Blushit vjen pasi shkarkimi i Metës u fut në rendin e ditës në Kuvend. Nënkryetarja e kuvendit Vasilika Hysi ka njoftuar deputetët për nismën e socialistëve për shkarkimin e Ilir Metës.
Sipas rregullores së kuvendit, nga ky moment kërkesa e socialistëve do të shqyrtohet nga komisioni i ligjeve i cili harton një raport për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e kryetarit të shtetit.
Më pas i takon seancës plenare që të miratojë ose jo ngritjen e këtij komisioni. Të gjitha këto procedura duhet të kryhen deri ditën e diel, pasi ligji për ngritjen e komisioneve hetimore e ndalon ngritjen e tyre 4 muaj para përfundimit të mandatit të parlamentit.
Për këtë arsye socialistët kanë vendosur të thërrasin parlamentin ditën e premte dhe në rendin e ditës është parashikuar vendimi për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e presidentit Meta.
(E.K/Faxweb.al)