Opozita e Bashkuar ka bojkotuar mbledjen e Këshillit Politik pasi nuk pranon diskutimet mbi draftin e paraqitur në Këshillin Politik. Ky vendim i Opozitës së Bashkuar erdhi thuajse një orë pas mbledhjes së Këshillit ku do të diskutohej rreth propozimeve të drafteve që do të paraqisnin palët politike.
Opozita e Bashkuar nuk bie dakord me draftin që nxori në tavolinë PS dhe kërkon zyrtarisht që ti drejtohen OSBE-ODIHR-it për ekspertizë.
“Ajo që kërkojmë ne është gjetja e një konsensusi. PS kërkon të ndryshojë atë që është e dakordësuar. Ne kërkojmë zyrtarisht nga PS që nëpërmjet këshillit ti drejtohemi OSBE ODIHR. Presim sot përgjigje zyrtare. Ne i japim kohë për të reflektuar. Sapo Gjiknuri të bjerë dakord ne vazhdojmë punë. Për çështjen e koalicioneve ne nuk lëvizim pa marrë një përgjigje nga OSBE ODIHR. Ne kemi bërë kërkesë zyrtare dhe presim përgjigjen e tyre”, tha Oerd Bylykbashi.
“Bëhet fjalë për bojkotimin nga ana e PS për marrëveshjen 14 janarit dhe 5 qershorit. Kërkesa e opozitës është kërkesë që ndërton konsensus. Ne do vazhdojmë të presim që PS mos bojkotojë në mënyrë të njëanshme dhe të shënojë së paku një rekord të ri pozitiv kundrejt ngjarjeve të rënda të njëanshme që ndërmori në 30 korrik. Ky është një shans i madh për PS, jo për opozitën e bashkuar. Opozita në këtë këshill sot po kërkon dhe po bën të pamundur për të ruajtur këshillon nga bojkotimi i njëanshëm i PS”, tha Petrit Vasili.
Menjëherë pas dorëzimit të amendamenteve të Partisë Socialiste për Kodin Zgjedhor, opozita bëri lëvizjen e saj duke dorëzuar në Këshillin Politik kërkesën për ekspertizë të OSBE- ODHIR.
Kjo kërkesë erdhi menjëherë pas gatishmërisë që institucionet ndërkombëtare treguan për të dhënë asistencën e tyre në arritjen e marrëveshjes mes palëve, kryesisht për listat e hapura si dhe koalicionet parazgjedhore.
Pak më parë, Fax News siguroi propozimet e socialistëve për ndryshimet në Kodin Zgjedhor që parashikojnë mes të tjerave hapjen e listave në 100%. Ndërkohë që pragu minimal për hyrjen në Kuvend të partive pritet që të jetë 3%. Socialistët parashikojnë që koalicionet të lejohen si subjekte të përbashkëta zgjedhore, gjë e cila duket se has në kundërshtinë e opozitës jashtë parlamentit.(A.M/Faxweb.al)