Një ditë pasi votoi në mënyrë të njëanshme në Komisionin e Ligjeve, për ndryshimin e Kushtetutës, Edi Rama i çon këshillë miqësore rivalit të tij në politikë Lulzim Basha, të cilit i kërkon që tiu japë fund sharjeve dhe kërcënimeve.
Rama shkruan se arritja e marrëveshjes së 5 Qershorit, ka kulmuar me plotësimin e të gjitha kërkesave që kishte shtruar më herët opozita jashtëparlamentare, dhe tashmë Lulzim Basha po provokon që marrëveshja të mos kalojë fare në Kuvend.
“Një këshillë miqësore për Lulzim Bashën e kolegët opozitarë jashtë Kuvendit: Lërini sharjet e kërcënimet ju lutem e mos thoni u prish marrëveshja, se ajo marrëveshje u bë me ju e për ju, jo për ne! Ne s’donim e s’duam administratë zgjedhore partiake, prandaj mos na provokoni se…
S’ua kemi borxh as ne, as populli jo e jo, pasi morët gjithçka deshët! Peng Kuvendin e zgjedhësit, të cilëve do t’u japim mundësinë të votojnë për deputetin e jo vetëm për partinë, nuk i merrni dot! Po mos na nxisni kundër asaj marrëveshjeje që e bëmë për ju po na lini ta votojmë…”, shkruan Rama.
Kujtojmë se një ditë më parë, pasi Rama deklaroi se është pro listave të hapura, që rrjedhimisht zhbëjnë koalicionet parazgjedhore, ndërkohë që kreu demokrat Lulzim Basha e quajti të zhbërë marrëveshjen e 5 Qershorit, që u arrit me ndërmjetësimin e gjatë të ambasadores amerikane Yuri Kim.
Kjo e fundit e ka shprehur qartë në këto dy ditët e fundit se marrëveshja që u kalua me firmën e 4 anëtarëve të Këshillit Politik duhet të kalojë e pandryshuar në Kuvend, dhe ndërhyrjet në Kushtetutë nuk mund të bëhen një vit para zgjedhjeve parlamentare.
(E.K/Faxweb.al)