Partia Demokratike ka propozuar dy qarqe pilot për votimin dhe numërimin e votave në mënyrë elektronike. Ka qenë sekretari i PD Gazment Bardhi ai i cili i është përgjigjur kërkesës së KQZ-së për dy qarqet që do të propozoheshin prej tyre për këtë projekt piolot.
“Në përgjigje të shkresës suaj nr 2646 datë 28.12.2020, mbi zbatimin e teknologjisë në zgjedhjet e datës 25 prill 2021 për Kuvendin e Shqipërisë ju bëjmë me dije se opinioni i Partisë demokratike është që projekti pilot për votimin dhe numërimin elektronik të realizohet në qarqet Fier dhe Korçë’, thuhet në përgjigjen e PD.
Pak ditë më parë KQZ i dërgoi shkresë partive politike se ku mund të aplikohet sipas tyre projekti pilot për votimin dhe numërimin elektronik. KQZ saktësonte se në këto zgjedhje të gjithë qytetarët do të identifikohen 100% në mënyrë elektronike.
“Sistemet apo pajisjet e teknologjisë së informacionit, që do të përdoren në zgjedhje do të implementohen me projekte pilot, të cilat duhet të përfshijnë jo më shumë se 20% të zgjedhësve, duke filluar nga zgjedhjet e para, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Pavarësisht nga ky rregull, në zgjedhjet e para për Kuvendin pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, identifikimi elektronik do të shtrihet në 100% të votuesve”, thuhej në njoftimin e KQZ më herët.
Me këtë kërkesë institucioni i bënte me dije partive që të japin sugjerimet e tyre në lidhje me zonat ku dëshirojnë që të aplikohen projektet pilote në zgjedhje, para se KQZ të marrë vendimet përkatëse. PS nuk ka dhënë ende propozimet e saj për qarqet.
(E.K/Faxweb.al)