Flakë për flakë ka qenë përgjigja e Edi Ramës, pas deklaratave të bëra nga presidenti Ilir Meta se ndryshimet kushtetuese nuk mund të bëhen pa një referendum publik. Rama shprehet se në vendin tonë as po ndryshon sistemi, as koalicionet, ndërkohë që listat do të hapen me ligj, në Kuvendin e Shqipërisë.
Kryeministri Rama ne Twitter:
IM thotë ndryshimi i sistemit, heqja e koalicioneve, hapja e listave bëhen vetëm me referendum! Askund nuk bëhet referendum për këto çështje. Ndërsa këtu as sistemi s’do ndryshojë, as koalicionet s’do ndalohen, po listat do hapen nga Kuvendi i Shqipërisë me ligj, me zakon e me karton!
Sa për modelin lindor, modeli i koalicionit që kemi s’është as perëndimor, as jugor, as verior dhe prandaj nuk gjendet askund në lindje a në perëndirm! Modeli i ri do të jetë gjerman e plotësisht europian, koalicion tamam, me zë, figura e program,jo kosh karavidhesh pa din as iman!
Presidenti i vendit Ilir Meta në një konferencë për mediat konfirmoi qendrimin e tij pro listave të hapura, dhe kundër heqjes së koalicioneve, por që sipas tij nuk mund të bëhen në shkelje të Kushtetutës. Meta tha se ai është që çdo çështje që ka të bëjë me sistemin të vendoset vetë nga ana e qytetarëve, përmes referendumit.
“Çdo çështje që ka të bëjë me sistemin duhet të shkojë te populli, po unë jam për lista të hapura, po unë jam për koalicione. Kjo është thelbësore për demokracinë. Më duket se jam shumë i qartë, shpresoj ta kuptojnë të gjithë, secili duhet ti lërë vend vetes në Shqipëri”, tha Meta.
Presidenti Meta me ironi tha se ai mbështeste qendrimet e dikurshme të Edi Ramës, që edhe ndryshimet e Kushtetutës në 2008 i quante të nxituara, edhe pse në Kuvend asokohe kishte 140 deputetë.
“Unë mbeshtes plotësisht qendrimet vizionare të kryeministrit Rama, i kam postuar dhe në Facebook, ku shprehej se ndryshimi i Kushtetutës në 2008 ishin i nxituar. Mendoni ju në një Kuvend me 122 deputetë formalisht, që nuk e kam shpikur unë që duhet të jenë 140 ka të drejtë të marr vendime të tilla, unë nuk e zgjedh fatin e askujt, secili e zgjedh vetë fatin e tij. Guximi që të flasësh në emër të popullit shqiptar mund të vijë nga probleme të tjera. Nuk ka diktator që nuk flet në emër të popullit”, u shpreh Meta. (E.K/Faxweb.al)