Pas një dite të qetë me vetëm 1 rast të ri në të gjithë vendin, gjatë ditës së sotme vetëm në Durrës janë zbuluar 13 raste të reja me Covid 19.
Burime bëjnë me dije për Faxweb.al se rastet e reja në qytetin bregdetar lidhen me rastet e mëparshme pozitive nga një fasoneri atje. Pra të prekurit janë kontakte të punonjëseve të fasonerisë.
Ndërkohë Durrësi dhe Tirana vijojnë që të mbeten zona të kuqe edhe për këtë javë, ndërkohë që liria e qytetarëve për të lëvizur është rritur ndjeshëm. Sakaq në Krujë, që ka qenë një tjetër vatër e nxehtë me Covid 19 nuk është shënuar asnjë rast i ri me koronavirus.
Deklarata e plotë e Ministrisë së Shëndetësisë: Nga fillimi i epidemisë, 79% e të prekurve tashmë janë të shëruar. Dr. Flutura Beqo. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Ju bëjmë me dije të dhënat e 24 orëve të fundit të situatës së COVID 19 në Shqipëri. Situata epidemiologjike paraqitet e qëndrueshme, mbështetur në identifikimin e rasteve të reja, hetimin aktiv të tyre dhe numrin e pacientëve që po trajtohen në spital.
Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 186 qytetarë si të dyshuar të prekur me Covid19 dhe janë konfirmuar pozitivë 15 raste. Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 13 raste në Durrës, 1 në Tiranë dhe 1 në Shkodër, kontakte të rasteve të mëparshme pozitive. Të shëruar janë 16 qytetarë.
Gjendja në spitalin infektiv paraqitet e qëndrueshme prej ditësh me 15 pacientë të shtruar dhe vetëm 3 prej tyre janë në terapi intensive.
Deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 964 qytetarë. Prej tyre, rreth 79% janë të shëruar. Në vendin tonë aktualisht janë 175 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Durrës Krujë, Shkodër. Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 13, mijë testime molekulare dhe serologjike. Deri tani janë mbi 1 mijë testime serologjike në personel shëndetësor, me një pozitivitet të përgjithshëm rreth 8%.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar masat e vendosura. Nëse keni shenja klinike të Covid19 telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me COVID19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40. (E.K/Faxweb.al)