Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka zbuluar moshat e reja të 3 prej 6 personave që gjenden të intubuar në spitalin Infektiv në Tiranë. Manastirliu tha se të gjithë ata persona që mendojnë se Covid 19 është një lojë, duhet të dinë se 3 prej personave të intubuar janë më pak se 50-vjeç.
“Duhet të dini se tre prej personave të intubuar janë 45, 46 dhe 49 vjeç, kjo nuk është lojë, ai që e mendon në këtë mënyrë rrezikon jetën e të gjithë shqiptarëve”, u shpreh Manastirliu, e cila tha se nuk ka asnjë plan për rimbylljen, por qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë masat e distancimit.
“Nëse sjellja e qytetarëve nuk ndryshon, masat nuk do jenë të vlefshme. S’mund të realizojmë që pas çdo qytetari të vendosim një polic që ta kontrollojë. Çdo person që ka Covid duhet të rrijë në shtëpi, jo të dërgojmë për çdo njeri një polic që t’i kërkojë hesap. S’e kemi këtë luks. Kjo duhet të jetë përpjekje e përbashkkët, e të jetuarit në një realitet të ri.
Ne po përgatisim spitalet, përshtatëm spitalin karantinë dhe i shtuam 100 shtretër për Covid-19. Duhet marrë me seriozitet. Po u kujdesëm për shëndetin, kujdesemi dhe për ekonominë e për gjithë të tjerat me radhë. Mos e vendosim në një stres të pamerituar sistemin tonë shëndetësor. Kemi vetë 7 vite e pak që është investuar në shëndetësi e është akoma shumë punë për t’u bërë,” u shpreh ajo.
(E.K/Faxweb.al)