Fjolla Morina është larguar nga banesa në Kukës ku ishte në “Arrest shtëpie” pasi u kap me dy armë në pikën kufitare. Mbetet e paqartë nëse këngëtarja ka kaluar në mënyrë ilegale drejt Kosovës apo është fshehur diku.
Patrulla e policisë së drejtorisë së Qarkut Kukës ka bërë kontroll në banesën ku qëndronte me qira pasi mori informacione se këngëtarja nuk e respektonte masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’. Banesa ishte e mbyllur dhe është kërkuar prej minutash hapja e derës, derisa kanë kuptuar se nuk ndodhej aty.
Këngëtarja nga Kosova, Fjolla Morina u arrestua më 19 shtator në pikën kufitare të Morinës, pasi po udhëtonte me një mjet tip “Audi Q7”, ku gjatë kontrollit iu gjet një armë zjarri tip pistoletë me 23 fishekë në cantën e dorës, ndërsa në bagazhin e makinës iu gjet një tjetër pistoletë e llojit çakmak.
Rreth një javë më parë, Gjykata vendosi dërgimin për gjykim të çështjes në ngarkim të shtetases kosovare Fjolla Morina e akuzuar për kryerjen e veprës penale trafikim i armëve dhe municionit parashikuar nga neni 278/A/1 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
Në të njejtën seancë Gjykata e Kukësit vendosi pushimin e ndjekjes penale te shtetasve Fisnik Syla dhe Fitim Muji, të cilët ishin në makinë me të në momentin e arrestimit. Pra këngëtarja Fjolla Morina shkon si e akuzuar e vetme dhe jo në bashkëpunim. Burime bënë të ditur se kengetarja Fjolla Morina e përfaqësuar nga avokatja e saj Aurora Guska, i kërkoi gjykatës që çështja në ngarkim të saj të gjykohej me gjykim të shkurtuar pasi çështja mund të zgjidhej në themel në gjendjen që janë aktet.
Edhe në seancën e fundit gjyqësore, Fjolla Morina në deklarimin e saj para trupit gjykues është shprehur se armën nuk e ka patur për qëllim trafikimi e as për fitim duke i qëndruar deklaratave të saj të dhëna më parë.