Një tjetërpacient që kishte rezultuar me koronavirus ka ndërruar jetë në Spitalin Infektiv në Tiranë ndërsa lajmi konfirmohet edhe nga Ministria e Shëndetësisë.
Mësohet se bëhet fjalë për një 90-vjeçar i cili prej 5 ditësh ndodhej i shtruar në Spitalin Infektiv në gjendje të rëndë shëndetësore ndërsa mësohet se pasojë është bërë diagnoza e tromboembolisë pulmonare por që prej ditësh ishte konstatuar edhe me koronavirus.
“Një pacient 90-vjeçar ka humbur jetën në spitalin infektiv, si pasojë e tromboembolisë pulmonare.
90-vjeçari ishte i prekur edhe nga COVID19 dhe vuante nga disa sëmundje bashkëshoqëruese (tromboemboli pulmonare, diabet mellitus, hipertension). Pacienti ndodhej i shtruar prej 5 ditësh në spitalin infektiv në gjendje të rëndë shëndetësore.
Sipas mjekëve që e kanë trajtuar gjatë gjithë kësaj kohe, shkaku i vdekjes së 90-vjeçarit është tronboembolia pulmonare”, njofton ministria.
Faxweb.al ka raportuar më herët për vdekjen e të moshuarit ndërsa kjo konfirmohet zyrtarisht edhe nga ministria.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi mesditën e sotme se në 24 orët e fundit janë testuar 175 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 16 raste të reja me COVID-19.
Deri në këto momente janë testuar 2571 raste në total të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 377 raste.
Janë testuar gjithashtu 11 anëtarë të personelit shëndetësor dhe kanë rezultuar të gjithë negativë nga COVID-19.
Gjatë 24 orëve të fundit, 12 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 116. Pra rreth 30% e të prekurve deri tani rezultojnë të shëruar.
Në shërbimin infektiv aktualisht janë 66 të shtruar, 5 prej tyre janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 7 pacientë të shtruar gjithsej, 6 pacientë janë në terapi intensive. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 73 pacientë.
(F.GJ/FAXWEB.AL)